PRISHTINË, 12 Tetor/ATSH-B.Jashari/.- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dënoi sot ashpër abuzimin me emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga grupe të caktuara, me qëllime të ulëta të njollosjes së vlerave të saj.
AAK deklaroi se, grafitet e sotme, të shkruara nga persona të panjohur në muret e Manastirit të Deçanit, që synojnë identifikimin e UÇK-së me organizata të huaja terroriste e kriminale si "ISIS" dhe "Kalifati Islamik", kanë tendenca të qarta antishqiptare dhe kundër luftës së drejtë e të pastër për liri, të bërë nga populli dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
AAK vlerëson se tendencat për çfarëdo asociimi apo identifikimi të luftës dhe vlerave të UÇK-së me grupe dhe organizata të tilla kriminale, kanë dështuar edhe në të kaluarën e do të dështojnë edhe sot e përgjithmonë.
Lufta e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, ishte luftë e drejtë dhe e pastër, që buroi nga populli i Kosovës dhe aspiratat e tij për liri, kurse UÇK ishte ushtri e pastër e popullit të Kosovës.
Komunikata e dërguar thekson se, AAK do të angazhohet edhe në të ardhmen për bashkëjetesë midis të gjitha komuniteteve etnike e fetare në Kosovë, dhe për liri të ushtrimit besimit të të gjitha komuniteteve. AAK dënon ashpër abuzimet me emrin e UÇK-së. UÇK ishte dhe do të mbetet vlerë e pastër kombëtare./m.m/