Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në takimin e sotëm të Kryesisë me kryetarët e degëve të partisë, vlerësoi se bllokada për formimin e institucioneve në Kosovë, po e thellon dëmtimin e demokracisë.
Sipas njoftimit të dërguar, AAK vlerëson se "është momenti i fundit që Partia Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kryetari i saj, Hashim Thaçi, të heqin dorë nga bllokimi i krijimit të institucioneve të shtetit. Tashmë kur e kanë të qartë se ekziston shumica parlamentare dhe se vetë kanë mbetur në pakicë, është absurde të insistojnë që të mbesin në pushtet me çdo kusht dhe ta fusin vendin në krizë për interesa krejtësisht të ngushta".
Në këtë mbledhje të kryesisë, Aleanca po ashtu shqyrtoi Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian. Fakti që ndryshimet në këtë Raport të Progresit nga ai i kaluari janë vetëm për të keq, është tejet shqetësues. Kosova po bën hapa prapa, jo vetëm në raport me vendet tjera të rajonit.
Të dhënat e Raportit të Progresit, në të gjitha pikat e rëndësishme, si për krimin e organizuar dhe korrupsionin, ekonominë, gjendjen sociale, arsimin e të gjitha pikat tjera, e rikonfirmojnë domosdoshmërinë e ndryshimit të plotë politik në Kosovë.
Aleanca vlerëson se do të jetë e pafalshme që 15 vjet pas çlirimit, Kosova të vazhdojë me mënyrën e njëjtë qeverisëse.
ATSH









