PRISHTINË, 13 Tetor/ATSH/. - Departamenti i Sundimit të Ligjit në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (DSL i AAK-së) vlerëson se kushtet e punës së zjarrëfikësve në Kosovë janë të mjerueshme dhe se përkrah kërkesat e arsyeshme të tyre.
Sipas KosovaPress, me rastin e paralajmërimit të grevës së zjarrëfikësve të Kosovës, DSL i AAK-së bën të ditur në një njoftim për shtyp se "njëkohësisht, zotohemi se me forminin e qeverisë së re do të punohet shumë që të përkrahet kjo kategori e emergjencave, si në aspektin e mirëqenies së tyre, edhe në aspektin e kushteve dhe pajisjeve për punë, të cilat janë të mjerueshme".
"Po ashtu, gjatë qeverisjes së re, ne do të zgjidhim çështjen e statusit të njësive të zjarrëfikësve shpëtues, që tash për tash është e mjegulluar në raportin midis MPB-së dhe Komunave", përfundon komunikata e AAK-së./k.s/









