Ndërsa ky stil tashmë bashkëkohor, që do ta quanim kushtimisht të trendit, në rastin e tij m mbështetet në një formë të defiguracionit që mbetet në një nivel të ballafaqimit me shpërthimet emocionale të racionalizuara e harmonizuara estetikisht, aq sa të krijojnë iluzionin e logjikes së lojës kreative, të shumtën mbi bazën e kontrastit të theksuar të kolorit dhe dimensioneve emocionale. Herë-herë në lojën kreative me valerin dhe të tonaliteteve që pikturën e tij ë bëjnë vërtet një vepër të pastër muzikore, përbrenda e ka edhe ritmin edhe melodinë muzikore, të mpiksur deri në emocion sublim të tonit.
Mbi këtë përvojë krijuese të zhvilluar dhe evoluar pa zigzage të mëdha Përvathi junior këmbëngul në puritanizëm abstraksionist - thellësisht lirik, që kap hijezimet më subtile të lojës më ngjyrën dhe rrezatimin, që ajo krijon përmes pllohave apo “leckave”, gjurmëve koloristike që sajojnë një konfigurim estetik emocionues që në thelb ka zbërthimin e drithërimave emocionale asociative që në fund të lënë në magjinë e bukur të kësaj loje.
Në këtë formë absrakcioni të formave e përvoje vizuale, zbërthehet me një formë rikujtimi dramatik pamjesh që në optikën e krijuesit defigurohen e konfigurohen deri në silueta, duke e ruajtur kontaktin asociativ me peizazhin abstrakt, fytyrën e figuracionin ekspresiv abstrakt që vetëm asociativisht mund të sugjerojë një korrelacion komunikimi. Kjo mënyrë e krijimit sinkretizon përvojën moderne të informellit dhe artin e aksionit, duke materializuar artistikisht ekspresionizëm abstrakt lirik.
Teknika e preferuar është akriliku, që në paletën e tij është e kërkuar, më shtresime kromatike që krijojnë nuanca prore befasuese në “lojën kreative” sa të kapin e shpalosin momente shumë emocionuese. Në kompozicionet e larmishme drama zhvillohet në fokus të pikturës përmes gjurmëve kontrasteve ndërsa hapësira përreth disi bëhet më e qetësuar, po prore duke e bartur jehonën e tingullin kumbues të ngjyrës. Admir Përvathi e zotëron dramën emocionale dhe e estetizon deri në ndjenjë të kërkuar e të diferencuar, që mund të cilësohen si disponime dhe emocione të saktësuara.
Ndoshta, po të bëhej emërtimi i pikturave mbi këtë parim, ato do të kishin edhe titullin , që do ta bënin më të lehtë të komunikonim me secilën vepër më të diferencuar për nga veçantia tematike e motivi i trajtuar, dhe do të mund t´i qaseshim e shpalosnim aspektet e vlerat më konkretisht. Kësisoj të prezantuara, i tërë opusi krijues të duket si një vepër e tërë simfonike në forma e ngjyra që të provokon e begaton gjatë procesit receptues interpretues me momente e emocione nga më të ndryshmet.
Ato pleksin përvojë sublime njerëzore dhe estetike me format e kapura në një defragmentim e thjeshtëzim formash të lira dhe të konfiguruara lirshëm për të ruajtur thelbin emocional transformues e perceptues. Transparenca e ngjyrave komplementare dhe suplementare me intensitet kontrastik dhe valeristik zotërohet nga intuita dhe dora e autorit që të mos shkarë në dekorativizëm pa porosi dhe emocion të estetizuar . Ky mbushullim e rrezatim emocional e bënë pikturën të jetë më individuale dhe autentike që duket se kushtëzohet shume herë nga rrethanat dhe momenti i krijimit.
Lirizmi abstrakt i Admir Përvathit në këtë fazë mëton të mbërrijë kulmin e vet hulumtues e krijues, që ende e përballon ambicien e mos shkarjes në variacione përsëritëse skematizuese dhe më këtë përvojë gjithsesi që me kohë do të provohen të pushtohen edhe hapësira të tjera të artit figurativ abstrakt. Një kumt të tillë më duket se e dhënë edhe seria e veprave që aktualisht po prezantohen e po paraqitën përpara opinionit.
Horizonti krijues i Admir Përvathit është i hapur i kaltër dhe i larmishëm dhe premtues siç është edhe horizonti në shumë piktura të autorit.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)