Bllokimi i autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës që të çon në aeroportin e Rinasit, gafë që ndezi një përçarje mes shumë kokave që kishin marrë autorësinë e organizimit të protestës deri në dielën, në ditën e 16 të saj, nxori në skenë 3 drejtues.
Aktivisti Arben Kola, djali me qeleshe me origjinë nga Kukësi, mori përsipër të shpallë tre nismëtarë ligjorë të kësaj proteste, përfshirë veten.
“3 nismëtarë që njihemi me letra nga policia: Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Arben Kola nga Kukësi , Arlinda Lleshi nga Lezha Nga sot do jem unë në ballë të marshimit, bashkë me studentët. Nuk do ketë më marshime drejt Rinasit, por vetëm brenda Unazës së Tiranës”, tha Kola.
Se kush e mori vendimin për të bllokuar Rinasin, që më shumë se sa aksion solli rraskapitje të një grupi protestuesish, kaos e trafik në rrugë, një nga nismëtarët e vetëshpallur, fajin e gjeti te rinia.
“Ka pasur tentativa, por nuk jemi përçarë. Marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, nga gjenerata Z, s’ka të bëjë me grupin nismëtar, as me organizatorët”, tha më tej.
E njëjta rini që në më shumë se 2 javë ka mbushur bulevardin pa u lodhur. Edhe pankartat u shfaq në frymën e akuzave mes protestuesve.
Nën këtë klimë ndarjeje, rreth podiumit të fjalimeve munguan shumë nga figurat që deri dje kishin shfaqur rolin e organizatorëve, si duke orientuar fjalimet, ashtu edhe turmën në marshim.
Mes këtyre polemikave dhe jo më me të njëjtën frymë organizimi, mikrofoni iu la në dirigjim një zonje, Entela Koka, e cila ngjiti në podiumin e improvizuar me shkallë, qytetarë të zakonshëm.
“Sot kryeministri tha zgjohuni nga ky jerm, ne i themi që jemi zgjuar, e kemi thyer frikën”, tha Entela Koka.
Përveç refrenit efekte nga një protestues “Rama në burg, Berisha në burg” i cili nuk ndryshoi, gjuha u ashpërsua.
Fjalimet degjeneruan në urrejtje, dhunë, e deri në skenare gjakderdhjeje.
“Rama jepe dorëheqjen, ore legen , le të jesh i gjatë edhe pallosh sa të duash. Ju lutem mos na braktisni, do e largojmë këtë maskara!
“Do ta shporrim këtë fundërrinë.. I lutem popullit të rrethojë parlamentin dhe qeverinë, në mënyrë paqësore, pa prekur policinë, se nuk duam të derdhim gjak. I them Ramës...Po arriti ky popull ta zërë me dorë do e djegë zvarrë deri te sheshi ‘Skënderbej’. Është fundërrinë.”
Pushtetin e mikrofonit, nismëtari Arben Kola ia dha edhe një fëmije, të cilit gjuhën e rëndë mbi të gjitha për moshën e tij, ia duartrokiti si revolucion.
“Tradhtarët duhet t’i shtypin si miza . Asnjë nga ne s’e do Ramën. Shqipëri e re”.
Arben Kola: Ky është revolucioni i fëmijëve.
“Protesta do të përshkallëzohet, siç e meriton ky shtet mafioz! Policia e Shtetit të mos na tregojë ç’është e ligjshme...”, tha një tjetër nga protestuesit.
Luçiana Kokës, të shpallur nismëtare e protestës, iu desh t’i bashkohej me vonesë tubimit, për shkak se ishte thirrur në policinë e Tiranës, për bllokimin e Rinasit.
“Marshimi s’ka qenë i koordinuar nga askush!”, tha Kokaj.
Frymëzimi i dikurshëm në pankarta, ishte zbehur. "Kush na përçau?", ishte një pyetje. Në një tjetër, flitet për vdekje: "Vdekje tradhtarëve."
Në një tjetër, shfaqet me krenari lufta që kjo protestë i ka sjellë deri më tani turizmit. “Më mirë një vit pa turistë, se një jetë me hajdutë.”
Aktivisti nismëtar Arben Kola është i njëjti, që të dielën nga kryeministria, si në gjyqe popullore të dikurshme, kërcënonte edhe SPAK.
“Ose do rrethohesh nga populli shqiptar në mënyrë paqësore dhe nuk do dilni nga SPAK pa lëshuar urdhër-arrestet për të gjithë politikanët e korruptuar”, tha Kola.
Protestuesit kanë përfunduar marshimin e tyre në Rrugët e Tiranës, në Sheshin Skënderbej, ku edhe kanë ndezur flakadanë te busti i Gjergj Kastriotit.
Për rreth 2 orë e 30 minuta, ata marshuan nga Presidenca në zonën e ish-Bllokut, më pas në bulevardin Bajram Curri, te Xhamia e Namazgjasë, te Parlamenti, më pas në Unazën e Vogël, drejt Kishës Ortodokse.
Më pas protestuesit u rikthyen sërish në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, para godinës së Kryeministrisë. Ata dolën sërish pas godinës së Kryeministrisë, pastaj morën drejtimin për nga Parlamenti dhe e mbyllën tubimin te Sheshi Skënderbej.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit në Kosovë ka marrë pjesë që në protestat e para të mbajtura në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, si dhe kundër kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa ditët e para Vetëvendosja përfaqësonte me aktivistë, tani përfshirjen në protestat për rrëzimin e Ramës e ka përforcuar me dërgimin e ish-kandidatëve të saj për deputetë.
Këtë na e tregoi prania e Hysamedin Ferrajt, ish-kandidat i Kurtit për deputet në Kosovë, i cili është parë në tubimet para Kryeministrisë, nën shoqërinë e kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.
Ende nuk është e qartë nëse Qorin dhe Ferrajn i bashkon e majta, dëshira për të rrëzuar Ramën nga pushteti, apo të dyja bashkë, por diçka duket se është e sigurt: Albin Kurti po mundohet të kontribuojë në largimin e Ramës nga kryeministër i Shqipërisë.
Protestuesit po vazhdojnë marshimin e tyre në zonën e 9-katësheve në kryeqytet.
Me thirrjet ‘çohuni nga kafja’, ata po ftojnë qytetarët e tjerë që t’u bashkohen në protestën kundër investimit në Zvërnec, e cila është kthyer në një tubim kundër klasës politike në vend.
Pankartat në protestën kundër investimit në Zvërnec u përqendruan këtë herë në thirrjet e forta. Nuk munguan as ato që përziejnë imazhe nga Inteligjenca Artificiale apo ironi duke përdorur momente virale në rrjetet sociale, por mbizotëruan sloganet kundër qeverisë.
Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.
Një prej 3 nismëtarëve të vetëshpallur ka treguar edhe itinerarin që do të ndjekin protestuesit, i cili do të nisë nga Presidenca në zonën e ish-Bllokut, më pas në bulevardin Bajram Curri, te Xhamia e Namazgjasë, te Parlamenti, më pas në Unazën e Vogël, drejt Kishës Ortodokse. Më pas protestuesit do të rikthehen sërish në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, para godinës së Kryeministrisë. Do të dalin sërish pas godinës së Kryeministrisë, pastaj do të marrin drejtimin për nga Parlamenti dhe do e mbyllin tubimin te Sheshi Skënderbej.
Më herët të vetëshpallurit nismëtarë, thanë se episodi që ndodhi mbrëmjen e djeshme me bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe Rrugës së Rinasit, nuk do të përsëritej. Kjo pasi sipas tyre, deri dje marshimet nuk ishin udhëhequr nga vetë ata, por nga 'Gjernerata Z'. Ndërsa sot ata thanë se do të qëndronin vetë në ballë të marshimeve.
Një mësuese, e cila iu drejtua nxënësve të saj që mund të ishin të pranishëm në protestë, i quajti “klasën më të bukur”, ndërsa veten “me fat.” Më tej, si bashkëshorte e një efektivi të rënë në krye të detyrës, ajo uroi për ndryshim.
“Jeni klasa më e bukur! Do të jem mësuesja më me fat kur të shpjegoj ndryshimin historik që do të bëni ju! Jam bashkëshorte e një prej efektivëve të rënë në krye të detyrës dhe mbaj mbiemër me nder! Ju bëj thirrje me dorën në zemër, të nderuar kolegë dhe ish-kolegë të bashkëshortit tim, jeta juaj vlen 0 ose 50 milionë lekë të vjetra! Uroj që kjo protestë, ky ndryshim që po ndodh të jetë sa më i pastër dhe më i bukuri që ka parë historia!”, tha mësuesja.
Luçiana Kokaj, protestuesja e Rrjollit, tha se vjen drejt e nga komisariati i policisë ku ka deklaruar se është nismëtare e protestës, ndërsa organizatorë janë qytetarët. Sa për marshimin e një dite më parë që solli bllokimin e Rinasit, ajo mohoi të ishte i koordinuar ndërsa përgëzoi sjelljen e tubuesve.
“Vij nga komisariati i policisë ku isha për të bërë një deklaratë për marshimin e djeshëm. Unë jam pjesë e grupit që kemi marrë iniciativën për ditën e parë të protestës, por nuk jam organizatorja! Organizatorët jeni ju! Marshimi s’ka qenë i koordinuar nga askush! Bravo atyre që arritën të shkonin dhe atyre që treguan maturi e pjekuri të mos përballen me Policinë e Shtetit sepse ata janë vëllezërit, prindërit tanë! Kanë zgjedhur të bëjnë një detyrë, ne po protestojmë edhe për ata që të mos jenë peng i partive, por të jenë me meritokraci aty! Të vazhdojmë protestat e marshimet paqësore, në bashkëpunim me ligjin!”, tha Kokaj.
Një protestues foli për marshimin e një dite më parë që solli edhe bllokimin e Rinasit. Ai u shpreh se edhe pse i paplanifikuar, marshimi tregoi që nuk bien pre e provokimeve dhe se janë gati të rezistojnë deri në dorëheqjen e Ramës.
“Ky është revolucioni i shqiponjave, i rinisë! Dua të them diçka të vogël për marshimin që kemi bërë dje, edhe pse i paplanifikuar. Kemi treguar dy gjëra, ne nuk biem pre e provokimeve, kjo është protestë paqësore që tërë bota të marrë shembull! Po shoh disa fytyra që i kam parë edhe dje, edhe pse kemi shkuar deri në fund të botës, jemi gati ta bëjmë prapë derisa të arrijmë qëllimet tona! Rama, e ke të qartë që do të rrimë sa të jetë nevoja dhe ti të japësh dorëheqjen!”, tha protestuesi.
Largimi i Marjana Koçekut nga grupi i PS po shihet nga protestuesit si momenti i parë i ndryshimit.
“Mos e lini këtë energji që na është krijuar për herë të parë në 124 vjet! Marjana Koçeku u largua. Nga 83 deputetë janë 82! Një pikë ujë nuk prish punë në oqean, por oqeani nuk është më i njëjti”, tha një prej tyre.
Aktorja Julinda Emiri ka marrë pjesë në protestën e sotme para Kryeministrisë, ku kundërshtohet investimi në Zvërnec të Vlorës.
Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, Emiri tha se dashuria për atdheun është më e madhe se dashuria për nënën e babanë.
Emiri tha se atë që kryeministri Rama sipas saj e nisi me zaptimin e tokës te Teatri Kombëtar, e vijoi më pas me Rrjollin e Zvërnecin.
“Para disa ditësh më thanë për një djalë që kishte thënë këtu, ku janë artistët që ju shemb Teatri Kombëtar. Unë jam Julinda Emiri, jam aktore, kam filluar të protestoj kundër kësaj qeverie që ditën e parë dhe nuk do të shkulem nga ky shesh deri kur kjo qeveri të japë dorëheqjen. Skena që filloi me Teatrin, me zaptimin e pronës publike dhe tërheqjen e njerëzve zvarrë, vijoi më pas me Astirin, me Bregun e Lumit, me gratë që shisnin pras, me Rrjollin dhe Zvërnecin. Rama nuk ka kuptuar që shqiptarët mund të nënshtrohen përkohësisht, por jo përjetësisht. Dashuria për atdheun, është mbi dashurinë për nënën e babait”, tha mes të tjerash aktorja Julinda Emiri.
Në ditën e 8-të të protestës në Korçë kundër investimit në Zvërnec dhe qeverisë, ka pasur pjesëmarrje të personave me aftësi të kufizuara. Thirrja e tyre ishte për trajtim dhe kushte më të mira.
Një e moshuar 88-vjeçare ka marrë fjalën në protestën që po zhvillohet para Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
E moshuara tha gjatë fjalës së saj se në Shqipëri ka qenë gjithmonë rrëmujë dhe familjet shqiptare kurrë s’kanë qenë të lumtura.
Ajo u kërkoi të rinjve që të qëndrojnë të bashkuar, sëbashku me shqiptarët e Kosovës.
“Jam një nënë 88-vjeçare. Gjithmonë kam parë vetëm rrëmujëra dhe vetëm që fëmijët tonë nuk kanë qenë asnjëherë të lumtur dhe të gëzuar. Edhe Kosova po ashtu. Unë si nënë ju them vetëm kaq, të jeni të bashkuar dhe ta ndani kafshatën bashkë, si me Kosovën, si me Shqipërinë. Ama si nënë ju them edhe këtë tjetrën. Ky mision është vetëm i Zotit”, tha mes të tjerash e moshuara.
Konfiskim pasurie për kryeministrin Rama dhe për kryetarin e PD, Sali Berishën, është kërkesa e protestuesve. Me thirrje të forta, një prej tyre tha se do të sjellin rotacion politik, teksa u kërkoi të pranishmëve të mos e braktisin protestën.
“Rama konfiskim pasurie, Berisha konfiskim pasurie! Mbahuni dhe pak ditë se premtoj që Edi Ramën ne që jemi sot këtu dhe ata që do të vijnë, do ta shkatërrojmë me gjithë bandën kriminale! Ne do t’i japim rotacionin politik këtij vendi, ju lutem mos na braktisni”, tha protestuesi.
Thirrja për dorëheqje përpara kryeministrisë jehoi edhe për kryetarin e PD, Sali Berishën. Një emigrant tha se e kishte bërë thirrjen para 3 ditësh edhe para selisë blu, por nga protesta para kryeministrisë, tha se Berisha duhet të japë shembullin e parë të largimit.
“Jam këtu, veçanërisht për nënën time 85-vjeçare që nuk merr dot pjesë këtu. Para 3 ditësh protestova i vetëm para zyrës së PD, e kisha me Sali Berishën, u detyrova të iki. Berisha, të lutem, jep dorëheqjen si kryetar i PD. Ik ti i pari që të të ndjekë edhe tjetri. Nëse e do me të vërtetë këtë protestë, nëse do me të vërtetë që Shqipëria të bëhet mirë, ik ti i pari!”, tha emigranti.
Ndonëse është kërkuar që partitë politike dhe përfaqësues të tyre të qëndrojnë larg protestës, emigranti u bëri ftesë ambasadorëve t’i bashkohen tubimit.
Një nga protestuesit, i pranishëm në protestën e sotme kundër investimit në Zvërnec, tha se episodi i djeshëm i bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës dhe Rrugës së Rinasit nuk do të përsëritet më.
“Vendimi për të vajtur atje, ka ndodhur, por nuk është diçka që do të ndodhë prapë. Do rrimë brenda Unazës dhe nuk do të largohemi shumë”, tha mes të tjerash protestuesi.
Të njëjtën gjë tha edhe aktivisti Arben Kola, i vetëshpallur nismëtar i protestës për ‘Zvërnecin’. Gjatë fjalës në protestë, Kola tha se deri dje marshimet ishin udhëhequr nga ata që ai i cilësoi Gjenerata Z. Ai shtoi se për t’u kujdesur që epidosi i djeshëm të mos përsëritet, sot do të jetë vetë në ball të marshimit.
“Në rrjetet sociale thonë jemi përcarë, nuk jemi përcarë, ka pasur tentativa, por nuk jemi përcarë. Armiku i përbashkët sot është Edi Rama dhe qeveria e tij. Që të kuptohemi marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, nga gjenerata Z, që do e quaja gjenerata më e bukur e shekullit 21. Marshimi s’ka të bëjë me grupin nismëtar, as me organizatorët. Nga sot do jem unë në ball të marshimit, bashkë me studentët”, tha mes të tjerash Kola.
Një protestues nga Rrjolli ia atribuon protestës disa mujore kundër resortit të Bashkim Ulajt guximin për të vijuar me protestën për Zvërnecin. Duke e kthyer vëmendjen te Rrjolli, ai thotë se ajo u përket banorëve të zonës, jo ndërtuesit dhe botuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulajt.
“Frikën e larguam ne rrjollorët, prandaj jemi mbledhur të gjithë këtu. Shqipëria është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve! Në Shqipëri po bëjmë burg përditë! Shqipëria meriton një gjë tjetër se jemi europianë që në ’90. Toka e rrjollorëve është e rrjollorëve, jo e Bashkim Ulajt!”, tha protestuesi.
Kërkesa për dorëheqje të qeverisë dhe opozitës po përsëritet nga protestuesit përpara kryeministrisë. Një protestuese thotë se “establishmenti po e fal Shqipërinë.”
“Ne jemi këtu për t’i thënë gjithë establishmentit duke filluar nga ky këtu e deri te drejtuesit e opozitës, është koha të jepni dorëheqjen! Me zemër, të gjithë shqiptarët janë këtu, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne jemi këtu për t’u thënë: boll është boll! Ky establishment po e fal Shqipërinë dhe kjo nuk do të lejohet më! Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, ne e kemi thyer frikën pikërisht në këtë shesh!”, tha një protestuese.
Komente









RAMA DO QE JU TE LODHENI..PRANDAJ NESER HYNI NE KRYEMINISTRI ..DHE MOS DILNI QE ATY..QERISA RAMA TE JAPE DOREHEQJEN....
PërgjigjuTalebanizmi e shkaterimi i cdo gjeje te bukur ne genet e shqiptarit cfaqet kudo,sidomos kur protestat i organizojne injoranca njerezit e pa shkolle me diploma leshi si dhe te papunet e kafeneve e miss Botoksat e shqiperise.te perkrahur nga gazeta e televizione qe nuk ju dihet arsyeja
PërgjigjuProtesta Kombëtare e ditës 16-të do vazhdoj mbase edhe 160 ditë e më shumë,deri në dorheqien dejuro-defacto e kryeministrit shqiptar. Kjo është vendosur dhe nuk mund të negociohet e sfumohet nga asnjë faktor i jashtëm dhe i brendshëm dhe mbrohet me jetën e cdo pjesmarresi në Protestën Kombetare Paqësore.
PërgjigjuJu flisni per përçarje, ne shtohu. Sot ne shesh jemi 2 fish.
PërgjigjuSa nga kosova?
Dikush duhet te me shpjegoje se cila eshte lidhja e tre personave: nga Rrjolli, Kukesi e Lezha me "flamingot" e Zvernecit, nderkohe qe banoret e atjeshem nuk ndihen,nuk i bashkohen protestes. Para se "trimat" e komenteve te zgjidhen nga zinxhiret dua te theksoj se jam nje nga ata qe organizuan protestat e para, te verteta, ne fund te viteve 90. Jam prej 27 vitesh ne emigrim per faj te dyshes famekeqe qe ka shkaterruar ate vend.
PërgjigjuRri atje bej shurren
Jo more zotëri protesta nuk eshte me per Zvernecin; eshte per largimin e ciftit te dashnoreve Rama-Berisha!
Përgjigju