TIRANË, 13 Korrik/ATSH/. - Piktori i njohur Agron Hoti, artisti me një imagjinatë të fortë dhe një ndjeshmëri të madhe orientale njësoj si i famshmi Ibrahim Kodra, do të prezantohet së shpejti për publikun e kryeqytetit dhe miqtë e Galerisë Kombëtare të Arteve me ekspozitën e titulluar "Abstrakt dhe Kolazh".
"Abstrakt dhe Kolazh", ekspozita qe do të kurohet nga Ylli Drishti me 15 korrik në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme në GKA, do të prezantojë rreth 15 vepra, të realizuara në periudhën 2001 - 2015, pjesa më e madhe e të cilave janë të realizuara nga artisti për këtë ekspozitë.
Punimet e kësaj ekspozite Hoti i ka realizuar në dy teknika, akrilik mbi kanavacë e kolazh. Vetë artisti preferon tablo abstrakte dekorative, jo sipas skemave klasike, por që brenda tyre të ndjehet lëvizje, hapësirë dhe lojë e strukturave të njollave që ai krijon duke realizuar vepra me një fantazi jo të zakonshme.
Hoti, lindur në vitin 1970 në Mamurras, krahinën e Kurbinit, tashmë konkuron denjësisht me talentin e tij të padyshimtë dhe me çmimet e shumta që i janë atribuar nga skenën europiane të artit.
"Abstrakt dhe Kolazh" mirëpret publikun në 15-30 korrik 2015 në Galerinë Kombëtare të Arteve.
/k.m/ /f,n/











