Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, thanë se ky institucion do të nisë inspektime në të gjithë vendin për të mbajtur nën kontroll rritjen abuzive që ka përfshirë tregun e disa produkteve.
Akciza
Qytetarët janë përballur këtë fillimviti me rritjet e çmimeve në treg si pasojë e rritjes së akcizës për cigaret dhe naftën. Por, reflektimi i tyre në treg nuk ka qenë i njëjtë. Për naftën dhe benzinën, në disa pika me pakicë, çmimi i shitjes ka mbetur i pandryshuar, ashtu si përpara datës 1 janar. Ndërsa, në disa të tjera ai është rritur nga 6 deri në 8 lekë për litër. Tregtarët thonë se rritja e taksave nuk është përcjellë e plotë në çmim pasi në treg ende tregtohet pjesë e rezervave të zhdoganuara përpara 1 janarit.
Por, ata thonë se në ditët në vijim çmimi do të shtrenjtohet sërish, derisa të përcjellë të plotë rritjen me 10 lekë të taksës së qarkullimit dhe efektin me 2 lekë të tatimit mbi vlerën e shtuar. Ndryshe ka ndodhur me tregun e cigareve, ku çmimet janë rritur me ritme të forta, deri dhe dy herë më shumë se sa taksa. Me paketën e re fiskale, Qeveria e rriti akcizën e cigareve me 20 lekë për paketë, që së bashku me efektin nga tatimi mbi vlerën e shtuar e rëndon koston e tyre me 24 lekë.
Inflacioni
Fundi i vitit 2013 është mbyllur deri diku pozitivisht për sa i përket objektivit të normës së inflacionit që ka vënë Banka e Shqipërisë. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në muajin dhjetor 2013, niveli i inflacionit ishte 1.9%. Edhe pse kjo shifër ëshë disi larg objektivit të synuar në 3-mujorin e tretë, inflacioni, rezultoi 1.5%. Arsyeja kryesore për këtë sipas Bankës së Shqipërisë ishin shpenzimet në ushqime që ishin në ulje si dhe një pasiguri për të konsumuar. Por duket se shqiptarët nuk kanë ngurruar të shpenzojmë më shumë gjatë festave të fundvitit, nga të cilat karakterizohet edhe muaji dhjetor.
Nëse do t’u përmbahemi të dhënave të INSTAT, zërat që kanë ndikuar me shumë në rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit ishin grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, me 4.2%, dhe grupi ”Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 2.4%. Norma ideale e inflacionet e përllogaritur nga ekspertet e Bankës së Shqipërisë duhet të jetë rreth 3%. Në muajt e vitit të kaluar kjo normë ka qenë shpesh shumë më poshtë se ky objektiv, duke pasquruar kështu mungesën e dëshirës për të prodhuar.
Aviacioni
Taksat aeroportuale dhe administrimi i ekskluzivitetit nga një kompani e vetme koncesionare janë shkaku kryesor pse Shqipëria është vendi që ka çmimet e biletave ajrore më të shtrenjta në rajon. Kjo ka bërë që tregu vendas të konkurrohet nga kompanitë ‘low cost’ të Kosovës, duke shkakrtuar rrjedhje të udhëtarëve shqiptarë drejt aeroportit të Prishtinës. Këtë fakt e pranojnë për "A1 Report" edhe drejtuesit e Autoritetit të Aviacionit Civil.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)