TIRANË – Tjetër skandal në Kadastrën e Tiranës, njëjtë si në atë të Durrësit. Nga 2342 regjistra në total, vetëm 250 prej tyre rezultojnë të pa dëmtuar, ndërsa pjesa tjetër, rreth 2100 regjistra janë totalisht të shkatërruar. Konkretisht, 515 faqe mungojnë tërësisht pasi janë grisur, qindra faqe janë të zëvendësuara, 914 faqe të dubluara, pra e njëjta pasuri është në emër të dy personave, ndërsa 13.000 faqe janë boshe.

Denoncimi është bërë nga vetë kreu i Kadastrës, Artan Lame përmes një raporti detajuar për të gjitha abuzimet dhe shkeljet me pronën në 30 vite.

“515 faqe mungojnë tërësisht, i mbetet historisë dhe hetimeve për të zbuluar se çfarë ka luajtur në këto qindra faqe që nuk ekzistojnë me. Janë më qindra faqe të dyshuara si të zëvendësuara. Është dukshëm që faqja ndryshon, ngjyra formati, por edhe kjo kërkon hetim të mëtejshëm. 114 faqe të dubluara, e njëjta pronë ekzistonte në dy faqe. Bëhej që njëjta pasuri i trajtohej edhe një qytetari edhe një tjetri dhe pastaj duhej të përfundonin në dyer të gjykatave.

180 faqe të grisura, por në themelin e regjistrit duket copa e faqes së grisur. Fenomen në Tiranë që ishte shumë më i madh se në Durrës ekzistojnë 13 mijë faqe bosh. Qëllimet kanë qenë një, për ti plotësuar më pas me ato AMPT e rrugës së Kavajës, janë mijëra faqe pronash shtetërore që kanë përtuar t’i plotësojnë. Është punë e bërë e paguar njëherë që duhet ribërë nga Kadastra", tha Lame. 

Lame tha se abuzimet më të mëdha janë bërë me pasuritë në zonat në zhvillim të Kryeqytetit, si Farka, Kashari, Yzberishi, Mëzezi, etj.

"Regjistrat e dëmtuar më shumë, natyrisht që janë ata që kanë të bëjnë me pasuritë në zonat në zhvillim të Kryeqytetit, si: Farka, Kashari, Yzberishi, Mëzezi, Baldushku, Sharra. Ndroqi, Pezë-Helmesi, Peza, etj. Ndërsa për zonën e Kamëz-Vorë, do veçoja zonat e Kamzës, Vorës, Paskuqanit, Valiasit, Bathores, Laknasit, Babrrusë, Domjes, etj", theksoi ai. 

Ndalur se kujt i bie përgjegjësia për të gjitha këto abuzime, Lame tha se nuk i drejtohet dot gishti një persona, pasi nuk ka pasur një rregullore për administrimin e regjistrave. Ndërsa theksoi se në të gjithë këtë histori., padyshim përgjegjësi ka çdo ministër bujqësie, çdo ministër Drejtësie, çdo kryeministër, e deri tek noterët dhe gjykatësit që kanë bërë këtë lëmsh me pronat.

“Mjafton të them se asnjëherë nuk ka patur rregullore dhe përgjegjësi të qartë se kush i administronte regjistrat. Kjo bën që kushdo mund të merrte prej tyre, mund të hiqte e të shtonte. Edhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll. Edhe sikur të merremi me përgjegjësinë në gjithë këtë histori e ka çdo ministër i Bujqësisë, Drejtësie, Kryeministër, çdo gjykatës e noter që ka bërë mish-mash në këto vite, për të shkuar më pas te ai punonjës i arkivës”, vijoi Lame.

Zgjidhja e këtij problemi sipas kreut të Kadastrës do të vijë përmes digjitalizimit të regjistrave të pronësisë, por duke theksuar se janë marrë masa, ku në zyrat e arkivës janë vendosur kamera, por janë vendosur edhe persona përgjegjës për çdo hyrje-dalje të dokumentacioneve.

Lame tha se ky raport do t’i dërgohet Kryeministrisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për dy arsye, që të fillojnë hetimet, por edhe për të shmangur presionet që mund të vijnë.

“Vlera e parë e këtij inventari, është që të paktën vendos një ditë “0”, pra që pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë dhe ndryshime të pakontrolluara. Tashmë arkivi i pronave është me sistem kamerash dhe sistem alarmi. Ka persona përgjegjës për çdo hyrje – dalje dokumentacioni.

Ashtu siç u veprua edhe për Durrësin, edhe raporti i Tiranës do të përcillet zyrtarisht edhe në KM dhe në MD, të paktën për dy arsye: Kushdo prej strukturave kontrolluese, të mund të vijojë hetimet mbi bazën e këtij Raporti. Për t'iu shmangur presionit të lloj-lloj banditëve që sapo të marrin vesh për këtë raport, do fillojnë presionet për të plotësuar gropat e identifikuara. Nga ana jonë, do të bëjmë bllokimin e të gjitha pasurive që identifikohen si me probleme. Më tej, zgjidhja përfundimtare e kësaj situate, do të vijë përmes procesit të nisur sivjet me mbështetjen ne Qeverisë: Projekti i Skanimit dhe dixhitalizimit të arkivit”, tha Lame.

Teksa theksoi se do të bllokojnë çdo pasuri me prombleme, Lame tha se Një raporti i tillë do të përgatitet për Kadastrat e çdo qyteti. Shkrirja e kadastrës së Durrësit dhe nisja e hetimeve të thelluara për abuzimet nxorën një raport me shkeljet, ku u vu re se abuzimet janë përtej imagjinatës dhe zonat ku janë kryer paligjshmëri dhe plaçkitjet më të mëdha janë ato bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj. Në Kadastrën e Durrësit vetëm 15% e dosjeve ishin pa probleme, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet.