TIRANË- Hetimi disa vjeçar i abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë IPARDSPAK duket se është drejt fundit. Prokuroria e Posaçme ka gjetur fajtorë dhe ka nisur me marrjen e të pandehurve të parë.

Më akuzën e ndikimit të paligjshëm është njohur zyrtarisht këtë të enjte biznesmeni Reni Ashiku, pronar i 'GoFarming R&D', kompani në shërbime bujqësore dhe bashkëpronar i 'Converse Management Consulting', një firmë konsulence.

Kujtojmë se Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, një prej mënyrave se si ishin abuzuar mbi 33 milionë euro të taksapaguave evropianë, sipas saj ishte detyrimi që i vendosej aplikantëve për IPARD II të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’. Këto kompani më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.

Se cili ka qenë përfitimi i Ashikut apo ndërhyrja e tij e paligjshme të institucionet mbetet për të parë, bashkë me emrat e tjerë që prokurori i çështjes Klod Braho ka vendosur të marrë të pandehur. Për momentin në SPAK nuk ka asnjë informacion.

Më 17 mars ishte ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca e cila u pyet për disa orë për dosjen që po hetohet nga kreu i SPAK  Klodian Braho. Mediat raportuan se ajo u pyet vetëm si person në dijeni për faktet.

Kujtojmë se procedimi në SPAK nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri dhe kërkoi gjetje të përgjegjësve.

Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, me vlerë 112 milionë euro, që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë dhe që ende nuk janë zhbllokuar.

Përveç detyrimit ndaj fermerëve për të paguar konsulencë të detyruar, Bashkimi Evropian arriti në përfundimin se edhe kontratat jepeshin pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar, çmimet ishin të fryra dhe procesi kishte shkelje të mëdha të rregullave kontraktuale

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë