TIRANE-REPORT TV mëson se prokurori i dosjes që po heton abuzimet me fondet në autostradën Tiranë- Elbasan është zëvendësuar. Prokurori i ri që do të hetojë dosjen është Dritan Prenci, ndërsa do të zëvendësojë Elisabeta Imerajn, e cila u emërua në fillim të muajit gusht në krye të prokurorisë së Tiranës nga Kryeprokurorja Arta Marku. (Sot u zëvendësua edhe te dosja Shullazi)
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se Prenci që mori drejtimin e dosjes me short, kaloi disa javë më parë vettingun duke u konfirmuar në detyrë. Dritan Prenci do të hetojë ish-kreun e ARRSH, Dashamir Xhika të rikthyer në burg nga Apeli i Krimeve të Rënda pak di të më parë.
Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u prangos më 2 shkurt 2018, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Xhika dhe zyrtari tjetër i ARRSH-së, Andi Toma, janë nën akuzë se abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar në vlerën e 5 mln eurove.

Xhika nuk akuzohet vetëm për këtë dosje. Mbi ish-numrin 1 të ARRSH-së, rëndon edhe akuza e shpërdorimit të fondeve për aksin Tiranë-Elbasan, një rrugë e nisur para shumë vitesh dhe e papërfunduar deri më sot. Ndërtimi ishte parashikuar të kushtonte 407 mln $, por në auditin e ministrisë së Infrastrukturës, rezultoi se kishte një dëm prej 54 milionë $.
Komente

