Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar ashpër pas akuzave nga përfaqësues të opozitës lidhur me abuzimin seksual ndaj një 14-vjeçarje në Kavajë nga një grup bashkëmosharatësh të saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj shkruan se rasti i minorenes është trajtuar menjëherë dhe me përparësi nga Policia e Shtetit. Deklaratat politike lidhur me këtë çështje Lleshaj i konsideron neveri, duke iu përgjigjur kështu sulmeve të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili sot në rrjetet sociale ka akuzuar se policia tentoi të fshehë ngjarjen. "S'ka më fjalë shqipe për monstrën që nuk njeh asnjë cak dhe ndot çdo gjë me gjuhën e tij", shkruan Lleshaj në postimin e tij. 

S'ka më fjalë shqipe për monstrën që nuk njeh asnjë cak dhe ndot çdo gjë me gjuhën e tij! Rasti fatkeq i minorenes së dhunuar është trajtuar menjëherë dhe drejt nga Policia e Shtetit. Të tjerat janë poshtërsi. Ky e ata që bëjnë politikë apo audiencë me viktimën meritojnë neveri.

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm

Postimi i Lleshajt

Sipas Berishës, i cili publikoi mesazhin e të ashtuquajturit "Qytetari Dixhital", policia e Kavajës kishte liruar abuzuesit e të miturës me urdhër nga lart. Edhe deputetë të opozitës, si të PD ashtu edhe të LSI, i mëshojnë këtij qëndrimi, duke hedhur akuza në adresë të Policisë së Shtetit. Ndërsa nga ana tjetër, prokuroria e Durrësit kërkon mbajtjen e kësaj çështje mjaft sensitive, larg polemikave politike, me synim mbrojtjen e jetës private të të miturës.

Denoncimi i Berishës

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit la në burg një ditë më parë 7 adoleshentët e arrestuar të cilët janë denoncuar nga e mitura (Lexo këtu). Dy prej tyre e pranuan akuzën, ndërsa 5 të tjerët e kanë mohuar. 

14-vjecarja, e shoqëruar nga prindërit, ka denoncuar në muajin dhjetor në Komisariatin e Policisë Kavajë 12 djem të mitur, duke rrëfyer se e kanë detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale në periudha të ndryshme kohore përmes shantazhit të ushtruar përmes një videoje ku ajo shfaqej me të dashurin e saj bashkëmoshatar duke kryer marrëdhënie seksuale. (Lexo këtu)