FIER- Mjekët e Fierit kanë ndërprerë shtatzaninë e 17-vjeçares tetraplegjike nga Mallakastra.

Prej 4 ditësh, 17-vjeçarja qendronte në spitalin e Fierit, ndërsa mësohet se ndodhej në muajin e katërt të shtatzanisë.

Sipas mjekëve, 17-vjeçarja nga fshati Lapulec i Mallakastrës, me të cilën është abuzuar, nuk mund të vijonte shtatzaninë për shkak të gjendjes shëndetësore, duke iu nënshtruar kështu abortit të detyruar.
 
Ndërkaq, mjekët shprehen se do të bëhen analizat e ADN-së për të identifikuar abuzuesin me 17-vjeçaren tetraplegjike.
 
Disa ditë më parë Policia e qarkut të Fierit njoftoi se “një person ende i paidentifikuar ka abuzuar seksualisht me adoleshenten e paralizuar me inicialet A.Z, e cila sipas analizave dhe vizitave të kryera nga mjekët rezulton të jetë 4 muajshe shtatzënë”.
 
Ka qenë nëna e vajzës, ajo e cila ka zbuluar rastësisht shtatzaninë e vajzës, nisur nga fryrja e pakuptueshme e barkut dhe simptomat e tjera.
 
Pas kësaj, familjarët e kanë çuan menjëherë në maternitetin e Fierit, por pas vizitës, shefi i shërbimit Robert Luto, tha se 17-vjeçarja duhet t’i nënshtrohej ndërhyrjes për abortimin e fetusit, pasi sipas tij, vajza mund të lindte një fëmijë me probleme të theksuara shëndetësore.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)