Një 37-vjeçar shqiptar është dënuar me 6 vite burg në Torino, pasi dyshohet se ka mbajtur me forcë dhe abuzuar për gati pesë orë një 20-vjeçare që punonte si kameriere në lokalin e tij.

Vendimi vjen pasi Gjykata e Apelit përmbysi pafajësinë e dhënë në shkallë të parë, ku gjyqtari kishte arritur në përfundimin se rrëfimi i vajzës nuk ishte i besueshëm, madje duke e mbyllur çështjen me arsyetimin “fakti nuk ekziston”.

Por pas një procesi të gjatë, ku e reja u mor në pyetje katër herë, Apeli e vlerësoi dëshminë e saj si të qëndrueshme dhe bindëse, duke e kthyer vendimin në dënim. 

Ngjarja ka ndodhur në janar të vitit 2024 në ambientet e nëndheshme të lokalit. Vajza, që kishte vetëm pak ditë që punonte aty, ishte zbritur për të marrë disa pije, por aty u bllokua nga i dyshuari.

Sipas dëshmisë së saj, ajo u detyrua të konsumojë kokainë dhe më pas u abuzua seksualisht për orë të tëra. “Nuk më linte të shkoja vetëm”, ka rrëfyer ajo, duke treguar se edhe kur ngjitej lart për në tualet, shoqërohej dhe më pas kthehej sërish në bodrum ku vazhdonin abuzimet.

Në vendngjarje ndodheshin edhe persona të tjerë, mes tyre një mik i të dyshuarit dhe një kolege e vajzës, e cila nuk i ka mohuar skenat gjatë dëshmisë së saj.

E reja arriti të largohej vetëm më vonë, duke gjetur një justifikim për të dalë nga lokali. Pasi shkoi në shtëpi, i tregoi gjithçka të dashurit dhe më pas bëri denoncimin në polici. Nga kontrollet mjekësore u konstatuan edhe dëmtime fizike.

Një mik i pronarit është dënuar gjithashtu me 6 muaj burg për favorizim, ndërsa çështja pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë, pasi pritet rekursi.