TIRANE- Janë 42 ish drejtues të lartë të Policisë së Shtetit që duhet të japin llogari për 45 tendera në të cilët janë gjetur shkelje. Ka qenë Auditi i Brendshëm në Ministrinë e Brendshme që ka gjetur shekljet dhe ka kërkuar ndëshkimin e personave përgjegjës. Shumica prej tyre janë dënuar me gjoba, në shuma të ndryshme parashë që variojnë nga 20 deri në 800 mijë lekë, sipas abuzimeve të bëra.

Auditi është bërë për tenderat e muajve mars-prill 2014 dhe ka pasur të bëjë me kontrolle në blerjen e karburanteve, mjeteve të informatikës, të Policisë Shkencore etj. Të ndëshkuarit janë ish drejtues nga niveli më i lartë në Policinë e Shtetit e deri tek shefa komisariatesh të cilët janë lëvizur nga detyrat që mbanin. Pas këtyre rezultateve të Auditit i është kërkuar policisë ndëshkimi i tyre.

Auditimi i tenderave
Pas përfundimit të Auditit të Ministrisë së Brendshme, i është kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë që të nisë procedimin disiplinor ndaj 45 ish-drejtuesve të policisë së shtetit në rang vendi. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se procesi i masave disiplinore ka nisur këtë javë dhe do të përmbyllet pas ankimimeve që do të bëjnë personat e proceduar. Ndër shkeljet e gjetura nga auditi i Ministrisë së Brendshme janë shkeljet në detyrë, në urdhërat e dhëna për vartësit si dhe procedurat e prokurimeve me tenderat e realizuara ndër vite. Në grupin auditues, për shkak të tenderave ka marr pjesë dhe Agjencia e Prokurimit Publik, e cila ka vendosur në fund të muajit korrik gjoba për ish-drejtuesit e policisë.  

Shkelje dhe ndëshkime
Grupi auditues bëri me dije se u gjetën shkelje te blerja e produkteve të materialeve për Institutin e Policisë Shkencore, karburanteve, të karroatrecit, mirëmbajtja e shërbimeve të komunikimit, mjeteve të informatikës si dhe rikonstruksionit të godinave. Kështu në procedime e nisura, agjencia e prokurimit publik ka miratuar gjoba për 31 ish-drejtues policie, 14 prej të cilëve u janë vendosur gjoba deri në 800 mijë lekë dhe për 17 të tjerët janë vendosur gjoba për shkelje më të lehta që nuk i kalojnë 20 mijë lekët e për të tjerët ka patur paralajmërim për ulje në gradë. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)