Kjo e fundit sipas policisë prej vitesh është edhe mikesha e Gëzim Çelës. Tufina e bënte rrugën në drejtim të Fushë Kuqes, disa herë në muaj dhe mësohet se aty punonin edhe disa persona të tjerë, të cilët merreshin me rafinimin e kokainës me aceton. Në vilën e Çelës policia ka gjetur 850 litra aceton që ishte në 20 fuqi. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, Tufina është ndaluar gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme, në banesën e saj.
ROLI I KIMISTES
Gjatë hetimit të zhvilluar, Policia e Shtetit ka zbuluar edhe rolin që kishte kimistja Valentina Tufina. Kjo e fundit, mësohet se ishte në krye të laboratorit që ndodhej në bodrumin e vilës së Gëzim Çelës. Kimistja merrej me rafinimin e kokainës që sillej nga Kosova dhe që më pas do të shitej në vendet e Bashkimit Europian.
Për policinë, roli i Tufinës është ndër më kryesorët pasi ka bërë të mundur edhe përzierjen e kokainës me përbërës të tjerë me qëllim rritjen e vëllimit të saj dhe sigurisht edhe duke ulur cilësinë dhe pastërtinë e drogës. Tufina duke përfituar dhe nga njohuritë e saj të kimisë merrej me laboratorin dhe ishte ndër anëtarët kryesoret e organizatës që drejtohej nga Gëzim Çela. Kjo e fundit është hetuar disa kohë, pasi uniformat blu kishin rënë në gjurmët e saj dhe në lidhjen që kishte me të kërkuarin. Në banesë veç qindra litrave aceton, janë gjetur edhe mjete të tjera që shërbenin për përzierjen e lëndës narkotike.
SI PËRZIHET KOKAINA
Kokaina është alkalodi kryesor i bimës Eritroksilon koka. Kokaina është një pluhur i bardhë ose ngjyrë qumështi, i cili vepron si stimulues i fuqishëm. Kokaina nxirret nga gjethet e bimës së kokës. Gjatë rrugës, mund të tretet ose të “pritet” me lëndë të tjera me qëllim që të rritet sasia. Gjithashtu ky lloj procesi bëhet me qëllin që të ulet edhe efekti i saj, pasi në gjendjen natyrale, është shumë e fortë dhe mund të sjellë probleme të mëdha shëndetësore deri në vdekje, nëse kalohet doza.
Sipas policisë, në banesën e Çelës, ishin krijuar të gjitha kushtet që përzierja të bëhet në mënyrë të pastër, me qëllim që të mos kishte probleme në kohën kur droga do të shitej, kjo në lidhje me pastërtinë e saj. Por, me bazën kokainë janë krijuar edhe lëndë të tjera narkotike që shiten të ndara. Droga “crack” është një kokainë e cila është përpunuar më tej me amoniak ose bikarbonat natriumi (sodë buke) dhe ngjan si flokëza ose kokrriza të vogla. Kjo lëndë narkotike e fortë vjen zakonisht nga Amerika Jugore (Kolumbi, Bolivi, Peru). Në këto vende kjo kulturë është legale. Por në Shqipëri rruga kryesore është ajo e Turqisë. Në vende të ndryshme përdoret si bimë mjekuese dhe nga ana e vendësve përdoren fletët e saj për t’u përtypur.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)