Adela Muçollari, një perlë e rrallë në baletin tonë

Adela Muçollari, një perlë e rrallë në baletin tonë

Baleti “Zhizel” mbrëmë në skenën e “ArTurbinës”

Kur e pashë për herë të parë Adela Muçollarin në skenën e baletit tonë, nuk po u besoja syve. Teknika perfekte, gjallëria, emocioni, pasioni, e bënin menjëherë depërtuese në zemër, ashtu siç vetëm artistët me një X Factor të lindur e të kultivuar arrijnë ta bëjnë.

Ishte koha kur Maestro Ilir Kerni kishte nisur të shpluhuroste e të nxirrte nga rrjetat e merimangave të intrigave të institucionit të rëndësishëm kulturor, talentet. Me të, baleti dhe opera, pas një letargjie të gjatë e të sikletshme profesionale, nisi të ndryshojë.

Zana Cela, për fat, po vazhdon të bëjë të njëjtën gjë: të mbajë në piedestal meritokracinë, sakrificën, talentin, pasionin e më të mirëve. Dhe nuk është e lehtë ende që në Shqipëri të bëhet kjo.

Mbrëmë, te Arturbina, u krijua një atmosferë e rrallë. Për nder të baletmaestros Agron Aliaj, në 85 vjetorin e lindjes së tij, u vu në skenë baleti Zhizel. Ndjenat që përmes skenës arrinin në plate, krijuan një masë transparente gëzimi dhe magjie, e cila qëndroi përgjatë gjithë kohës mes artistëve dhe neve, artëdashësve. Eshtë kjo masë, e ngjashme me një re të bardhë puplore, e lehtë, e padukshme, por e perceptueshme, që krijohet mes publikut dhe artistëve, e cila bën dallimin mes një shfaqeje të bukur dhe emocionuese dhe një shfaqeje që nuk vlen të rishikohet. Zhizeli i mbrëmshëm, i interpretuar nga Adela Muçollari, shënon një rritje cilësore të përpjekjeve të baletit shqiptar për t’u zhvilluar.

Të jashtëzakonshme përpjekjet dhe performancat e të gjithë trupës, por do të dëshiroja të ndalesha te Adela, kjo perlë e vogël, e bardhë dhe e rrallë në baletin tonë bashkëkohor.

Dua të shpjegoj me gjuhën e thjeshtë të spektatorit çdo emocion që përcolli edhe levizja më e vogël e kësaj balerine: Asnjë detaj teknik nuk u la prej Adelës pas dore gjë që tregon respektin e thellë për baletin, por edhe për spektatorin shqiptar, që shijoi mbrëmë një shfaqje të niveleve europiane me një biletë që nuk i kalonte 7 eurot.

Eshtë një moment i mrekullueshëm që më të mirët si primabalerinat Adela Muçollari, Ledia Sulaj, primabalerinët Fatjon Lito, Anxhelo Muçollari (vëllai më i vogël  Adelës) apo Dion Gjinika kanë mundësinë që të japin më të mirën;veçantia e Adelës është dhe në interpretimin emocional të personazheve, gjë që e bën atë të rrallë në skenën e baletit të kohës që jetojmë.

Vlen për t’u vlerësuar puna dhe pasioni i Zana Celes, por edhe inkurajimi që ministrja Mirela Kumbaro ka dhënë në këtë drejtim. Duket që në çdo shfaqje të dy gratë në krye të kulturës janë të pranishme aty të inkurajojnë e të japin ngrohtësi për gjithë trupën dhe për më të mirët. Tek këta të fundit doja të ndalesha pak institucionalisht.

Ndoshta ka ardhur koha që edhe nga ana e statusit ekonomik të bëhet dallimi cilësor i më të mirëve. Një artist vërtetë i mirë, në cilëndo fushë arti, mbetet një gur i çmuar për çdo vend, ndaj është detyrë e shoqërisë të tregojë mirënjohjen dhe mbështetjen edhe ekonomike ndaj vlerave që një vend prodhon në art. Të gjithë vajzat dhe djemtë që përmenda më sipër jetojnë në një thjeshtësi  përditshmërie që ndahet me punën e jashtëzakonshme për shfaqje të bukura në TKOB e turne, por dhe me kurset private në palestrat e vogla, për të mbijetuar në një status ekonomik që nuk ua lejon të jetojnë të qetë e pa vështirësi. Ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë se i dashuron vërtetë artistët e vet më të mirë. Ata po lodhen deri në sfilitje për të dhënë më të bukuren në skenë, ne duhet të lodhemi që ata të ndjehen komodë dhe mirë. Në këtë marrëdhënie, ku ne japim si shtet dhe publik, dhe ata japin si artistë, krijohet vërtetë magjia dhe perceptohet ajri i shtensionuar dhe i paqtë. Gjërat ndryshojnë, kur artistët nisin të ndjehen mirë e të japin më të bukurën e tyre në Shqipëri.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meli: 11/11/2018 23:19

    Fjalia e fundit eshte e jashtezakonshme ❤️

    Përgjigju
  • Gresa: 10/11/2018 19:18

    E pashe mbreme. Nje shfaqje e admirueshme. Zhizel ishte perle

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar