Një aktivitet për dhurimin vullnetar të gjakut u organizua në ambientet e Bashkisë së Lezhës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Nismës iu bashkuan punonjës të administratës vendore dhe qytetarë të ndryshëm, të cilët dhuruan gjak për të ndihmuar personat që kanë nevojë për transfuzione.Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, së bashku me dhurues të tjerë, e vlerësoi këtë nismë si një kontribut të rëndësishëm solidariteti dhe humanizmi në shërbim të jetës.

“Është një akt human që duhet ta bëjnë të gjithë. Unë jam dhurues i rregullt. Kërkoj nga të gjithë punonjësit që të dhurojnë gjak sepse duke dhuruar gjak shpëtojmë jetë. Është një kontribut jo i vogël, ndaj duhet të jenë të gjithë të gatshëm për të kontribuar. Është detyrë e gjithësecilit që një ditë të jetë në dispozicion të atyre që kanë më shumë nevojë” tha Pjerin Ndreu, kryetar i bashkisë Lezhë

 “Unë jam dhuruese e rregullt e gjakut dhe sa herë më jepet mundësia kam dhuruar gjithmonë. Është një nga detyrat më humane që ka gjithësecili prej nesh. Sado pak ne shpëtojmë jetën e dikujt tjetër” tha gazetarja Brixhilda Deda

 “Me shumë kënaqësi iu bashkova kësaj nisme të rëndësishme dhe të veçantë, sepse shkon për nevoja të veçanta për njerëzit. E vlerësoj si nismë që duhet ta bëjnë të gjithë” tha Artan Palushi, nëpunës i Bashkisë Lezhë.

Sipas organizatorëve, dhurimi i gjakut mbetet një nevojë e vazhdueshme për sistemin shëndetësor, ndërsa Bashkia e Lezhës vijon të mbështesë aktivitete të tilla sensibilizuese, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut.