Këto shkelje i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2008-2011 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2012.
Pasuria shtetërore
Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, janë konstatuar dëme në masën 661 milionë lekë. Pjesa më e madhe është shkaktuar nga punonjës të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në vlerën 607 milionë lekë, si pasojë e mosushtrimit të penaliteteve për shkeljet e kushteve të kontratave koncesionare nga 24 koncesionarë. Nga ana e saj, ministria e Punëve Publike dhe Transportit, vlerën prej 15.3 milionë lekësh, si fitim neto i buxhetit të shtetit, e ka kaluar padrejtësisht në favor të koncensionarit “SGA Automative”.
KLSH konstaton dëm në këtë fushë edhe nga veprimet e mosveprimet në bashkitë Laç, Korçë, Klos, Rrëshen, Berat, Elbasan, etj.
Prokurimet
Në fushën e prokurimeve, dëmi llogaritet në vlerën e përgjithshme prej 150.6 milionë lekësh, e konstatuar në KESH sh.a., Komunën Qukës, Librazhd, Bashkinë Korçë, Bashkinë Tropojë, Komunën Golem, Kavajë, Bashkinë Lezhë, etj.
Shpenzimet operative
Në fushën e shpenzimeve operative, dëmi llogaritet në shumën e përgjithshme prej 74 milionë lekësh, konstatuar në Autoritetin e Aviacionit Civil, Komunën Milot, Lezhë, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Albpetrol Sh.a, etj.
Pagat
Në fushën e sistemit të pagave, dëmi është 45 milionë lekë, konstatuar në Bashkitë Lezhë, Laç, Rrogozhinë, Mamuras, Cërrik, Peqin, Shkodër, Rubik, Peshkopi, Tepelenë, Burrel, Librazhd, Pukë dhe Krujë, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, si pagesa të dyfishta për të njëjtin vend pune, etj.
Doganat
Në sektorin e doganave, dëmi është llogaritur në vlerën e përgjithshme prej 41.2 milionë lekësh, e konstatuar në Degët e Doganave Fier, Tiranë, Bllatë Dibër, Berat, Rinas, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve të ndryshëm dhe si detyrime e penalitete të pavendosura ndaj subjekteve.
„Të tjera“
Shkeljet më madhore kanë qenë në sektorin energjetik. Sipas KLSH, në Albpetrol janë konstatuar shkelje financiare në vlerën 9.2 miliardë lekë, për mosshlyerjen e detyrimeve kontraktore nga një operator ekonomik privat dhe të kamatvonesave për prodhim të patërhequr nga kompanitë që operojnë në bazë të marrëveshjeve të hidrokarbureve. Ndërkohë, në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dëmi është 2.5 miliardë lekë, si pasojë e mosarkëtimit të vlerës së energjisë elektrike të furnizuar dhe të faturave nga CEZ sh.a. për periudhën nga 31.12.2010 deri në 31.12.2011 dhe nga mosaplikimi i normës së interesit për faturat e palikuiduara.
Disiplina financiare
Si pasojë e shkeljeve të rregullave të displinës financiare nga administratat publike, është konstatuar psh në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dëm në fushën e dhënies me koncension në industrinë e bakrit, kromit dhe energjetikë, si pasojë e moszbatimit të akteve nënligjore në fuqi, në shumën 1.1 miliardë lekë. Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, si pasojë e llogaritjes së gabuar të analizave teknike të çmimeve dhe rritjes artificiale të fondit limit për disa raste, ka realizuar dëm në shumën 286 milionë lekë.
Penalizimet
Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 31 kallëzime penale për punonjës në Zyrën Qendrore të ALUIZNI-it, Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-it, Durrës, Vlorë, etj, disa bashki e komuna, Portin Detar, Vlorë, Operatorin e Sistemit të Trasmetimit, Albpetrol, ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, etj.
(Gre.M/Shqiptarja.com)