Gjykata Administrative e Tiranës rikthen në Kuvend 2 nga 12 deputetë të përjashtuar të Partisë Demokratike. Gjykata rrëzoi vendimin për përjashtimin e dy deputetëve demokratë, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, pasi këta të fundit sulmuan me vezë dhe ujë kryeministrin Edi Rama seancën e 8 tetorit kur u miratua reforma territoriale.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë

VENDOSI:

1. Shfuqizimin e vendimit nr. 15, datë 12.10.2026 të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën “Për përjashtimin 60 ditë nga pjesëmarrja në seancë plenare dhe komisione parlamentare për deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu”.

2. ⁠Dhënien e vendimit me ekzekutim të menjëhershëm.

Tashmë deputetët kthehen në Kuvend pas ezaurimit të më shumë se gjysmës së dënimit. Kreu i grupit parlamentar, Gazmend Bardhi, tha se gjykata e shpalli të paligjshëm përjashtimin duke theksuar se deputetët që firmosën për t’i lënë jashtë punimeve të Kuvendit, Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, do të mbajnë përgjegjësi ligjore për shpërdorim detyre.

“Ndalimi arbitrar dhe me forcën e strukturave të sigurisë i deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit u konstatua sot nga gjykata si i paligjshëm. Ky vendim konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese nuk është thjesht një akt arbitrar, por një shkelje që cenon drejtpërdrejt demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Praktika të tilla antidemokratike janë të papranueshme për një vend që pretendon të jetë në rrugën e integrimit europian. Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian në letër, por sjellja e kësaj qeverie dëshmon një mentalitet politik që i përket një kohe tjetër: kohës së partisë-shtet, ku pushteti kërkon të kontrollojë gjithçka dhe opozita trajtohet si armik, jo si pjesë thelbësore e demokracisë.

Nuk habitem aspak nga kjo sjellje e shumicës parlamentare. Projekti politik i Edi Ramës duket se është një Kuvend pa opozitë, një pushtet pa zë kritik dhe një Shqipëri e nënshtruar ndaj vullnetit të një njeriu të vetëm. Por demokracia nuk është pronë e kryeministrit dhe Kuvendi nuk është oborri i tij personal!

Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë.

Le të mos kenë asnjë iluzion: pushteti është i përkohshëm, ndërsa përgjegjësia përpara ligjit mbetet. Dhe historia politike e Edi Ramës ka treguar se ata që sot përdoren për të zbatuar urdhrat e tij, nesër braktisen si leçkë prej tij. Askush nuk duhet të mendojë se do të mund të fshihet përgjithmonë pas urdhrit politik për t'iu shmangur përgjegjësisë ligjore.

Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të përfaqësuar qytetarët. Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës dhe demokracia shqiptare nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij”, shkruan Bardhi.

Më 12 tetor Sekretariati i Etikës kishte vendosur përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu. Masa disiplinore erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila i akuzoi dy deputetët e opozitës për incidente gjatë votimit të Reformës Territoriale, ku ata hodhën shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Kuvendit dhe deputetëve socialistë.

Në gjykatën Administrative rrëzimin e përjashtimeve e kanë kërkuar edhe 10 deputetët e tjerë të PD që janë përjashtuar pas seancave kaotike.