ADN-ja jonë e mirë na tregon rrugën e duhur

ADN-ja jonë e mirë na tregon rrugën e duhur

Deshmitar belshiot i shpëtimit të mjekëve dhe infermiereve amerikanë

Ndoshta tepër vonë, por kur mësova historinë e fshatarëve të Belshit, në ato liqene në mes të Shqipërisë, sikur në zemër më lindi një dritë e mirë. Nga ato drita që të bëjnë të ndihesh lehtë gjatë gjithë ditës. Historia ishte kjo: Në të largëtin 8 nëntor 1943, një avion ushtarak me 12 mjekë dhe 30 infermiere, të gjithë amerikanë,  u rrëzua i goditur nga gjermanët në Belsh, në një prej 80 liqeneve që ndodhen aty dhe pikërisht në atë të Çestijes. Avioni as nuk kishte lidhje fare me Shqipërinë, nga Katania shkonte në Bari, por fati e solli të binte, pasi u qëllua,  mes shqiptarëve, pasi të gjithë në atë avion duhet të kishin lindur në një ditë me fat. Piloti qëlloi i jashtëzakonshëm, e uli avionin me të gjithë ekuipazhin shëndoshë e mirë, por rreziku i gjermanëve ishte akoma i madh. Pas pemëve, njëri pas tjetrit dolën fshatarët belshakë dhe ajo që i bashkoi të gjithë ishte vetëm një gjë: Si t'i shpëtojmë këta të reja e të rinj të huaj? Pas muajsh e peripecish të gjithë shpëtuan dhe u nisën nga Vlora drejt portit të Barit. Fshatarë, partizanë, ballistë, të gjithë njerëzit e mirë u bënë bashkë. Me çlirmin e Shqipërisë, kur ish-partizanët u çmendën dhe shpallën imperialistë SHBA-të, ekzekutuan intelektualin beratas Kostaq Stefa, i cili me anglishten e tij të mirë kishte qenë pikë referimi mes mjekëve dhe infermirerëve amerikanë dhe popullsisë. Gjatë gjithë diktaturës askush nuk dëshmoi për këtë histori... deri pas viteve '90. Mjekët amerikanë të mbijetuar e në moshë të thyer, të çliruar nga detyrimi i sekretit, treguan këtë histori magjike të shqiptarëve të mirë.

Pastaj, nëse kujtojmë edhe atë të hebrenjve që mbrojtëm po gjatë Luftës së Dytë Botërore e na dha titullin e një populli të Drejtë, historia vërtetë na rendit në një popull shumë të vuajtur, por të mirë. Më duket se në Shqipërinë më të thellë, dhe Belshin e shoh si pjesën e saj të brendshme, të padukshme, ruajmë një ADN të mrekullueshme, e cila nuk është prekuar dhe as transformuar as nga 500 vite pushtim otoman dhe as në 50 vite diktature, nga më ekstremet e bllokut  të Lindjes.

Një popull si ne, që ka zemrën e mirë, nuk mund të çorientohet nga rruga e tij drejt dritës. Sigurisht në këtë rrugëtim do të dalin shumë njerëz shkatërrues, keqdashës, që do të na tërheqin nga krahët, do të na bëjnë stërkëmbësha për të na rrëzuar, por nuk do të na pengojnë të arrijmë në ndriçim. Ne shqiptarët sot jemi zgjuar, shohim qartë, mirë. Eksperiencat e jashtëzakonshme, të vështira, unikale që kemi kaluar, na kanë bërë vetëm më të fortë e më të vendosur për të kuptuar e zgjedhur se çfarë është për ne më mirë. Prandaj cilido i keq sot do ta ketë shumë, shumë të vështirë, për të realizuar planet e shëmtuara.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)