TIRANE - Adoleshentët shqiptarë po bëjnë një jetë të çthurur dhe me plot vese. Studimi i kryer së fundmi tek 5 mijë të rinj një vendin tonë ka treguar se marrëdhëniet e tyre seksuale nisin shumë herët, që në moshën 14 vjeçare ndërkohë shqetësuese mbeten shifrat të cilat rriten nga viti në vit. Të dhënat tregojnë se 1 në 5 fëmijë shqiptarë nisin të kryejnë marrëdhënie seksuale kur janë vetëm 14 apo 15 vjeç. Ndërkohë që më shqetësuese situata këtë vit është pasi ka ulje me një vit të nisjes së marrëdhënieve seksuale si dhe ka një rritje të ndjeshme të numrit të tyre krahasuar me vitin e kaluar.

“Në qoftë se vjet u raportuan 14.5% e rasteve të kryerjes së marrëdhënieve seksuale, këtë vit ka shkuar në 19,5%. Ajo që vihet re është se në mënyrë absolute raportojnë shumë më tepër meshkujt kryerjen e marrëdhënieve seksuale, se sa vajzat, në një raport 95% me 5%. Një fakt tjetër interesant është përdorimi i kanabisit”, tha Gentiana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit, ISHP. Sipas saj, nga të dhënat e mbledhura thuhet se vetëm 5% e të miturve që kryejnë marrëdhënie në moshë të hershme janë vajza, ndaj pjesa tjetër e djemve e bëjnë këtë me femra në moshë më të madhe. Rreth 65% përdorin mjete mbrojtëse, duke qenë kështu një faktor për numrin në rritje të aborteve.

Ndërkohë studimi ka treguar se djemtë e moshës 15 vjeç, që ndjekin shkollën, raportojnë se kanë konsumuar kanabis të paktën një herë gjatë jetës së tyre, ndërsa 2.3% thonë se kanë konsumuar kanabis të paktën një herë gjatë 30 ditëve të fundit. Nuk janë të pakta dhe vajzat që konsumojnë droga të lehta, por në këtë studim, raportimi i tyre është i pakët. Por më shumë se shifra, ky studim duhet të jetë një alarm i institucioneve përkatëse, që merren me edukimin dhe kujdesin e të rinjve. “Ky studim duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për të gjithë institucionet që lidhen me shëndetin e fëmijëve, kryesisht ato arsimore dhe shëndetësore, për të hartuar politika, për të zbatuar programe, që të kenë në fokus jo thjesht promovimin e sjelljes së shëndetshme, por të marrin parasysh edhe kontekstin social ku zhvillohen të gjitha këto sjellje”, tha Qirjako.

Lidhur me situatën ekonomike, studimi tregon se 24 për qind e fëmijëve i kanë baballarët pa punë dhe 58.4 për qind e tyre kanë nënat e papuna. 14.5 për qind e  të pyeturve raportojnë një gjendje ekonomike të keqe.

Redaksia Online
(g.f/ Shqiptarja.com)