Këtë fundjavë, në plazhin e Hidrovorit në Akërni është zhvilluar një garë e sporteve ujore Kitesërfing dhe Windsërfing, ku kanë marrë pjesë jo vetëm garues shqiptarë, por edhe sportistë të huaj, të apasionuar pas këtyre disiplinave.
Garuesit përshkuan një itinerar të veçantë, duke nisur nga plazhi i Hidrovorit në Akërni, për të vijuar drejt ishullit të Sazanit dhe më pas për ta përmbyllur garën në Plazhin e Ri, përgjatë Lungomares së Vlorës.
Sipas pjesëmarrësve, Kitesërfing dhe Windsërfing janë sporte mjaft tërheqëse, të cilat kërkojnë përgatitje, disiplinë dhe mbi të gjitha mësimin e tyre nën drejtimin e instruktorëve të specializuar. Ata shprehen se emocionet që ofrojnë era, deti dhe adrenalina i bëjnë këto sporte gjithnjë e më të preferuara nga të rinjtë dhe turistët.
“ Unë kam 10 vjet që e ushtroj këtë sport. Unë e kam shumë qejf detin, erën, natyrën. Ky vend është shumë i përshtatshëm për sërf sepse ka shumë erë. Këtu dhe në Porto Romano. Ky sport do stërvitje dhe përkushtim” tha njëri prej tyre.
Zgjedhja e plazhit të Hidrovorit në Akërni nuk ka qenë e rastësishme. Garuesit thonë se kanë dashur të mbështesin edhe kauzën e ditëve të fundit për mbrojtjen e kësaj zone natyrore, duke theksuar se plazhet duhet të ruhen ashtu siç i ka krijuar natyra dhe se çdo investim në to duhet të bëhet me kujdes dhe në harmoni me mjedisin. Sipas tyre nuk janë kundra zhvillimit të zonës por për investime të kontrolluara nga shteti dhe investime në harmoni me natyrën pa e cënuar
“Mbështesim kauzën. Plazhet duhet të ngelen të lira siç i ka bërë natyra. Megjithatë Shqipëria ka një potencial gjigand” tha njëri prej tyre.
Shqipëria ka një potencial shumë të madh për zhvillimin e kesaj disipline te sporteve ujore, pasi disponon rreth 280 kilometra vijë bregdetare ranore, dhe kushte ideale për zhvillimin e sporteve ujore pa motor, duke e kthyer vendin në një destinacion tërheqës për adhuruesit e aventurës dhe turizmit sportiv.
Komente






