Aktivisti Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, ka folur për Report Tv nga protesta që po zhvillohet në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, duke thënë se kjo ‘lëvizje’ po krijon një energji të jashtëzakonshme.

Në një lidhje direkte për emisionin 'Studio Live' me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Qiraxhi theksoi se protesta e qytetarëve e ka ulur kryeministrin Edi Rama me këmbë në tokë dhe nga ana tjetër po ushtron edhe presion mbi opozitën.

Për ta përkufizuar me një fjali, Qiraxhi tha se protesta është një mekanizëm i madh presioni, për të demokratizuar të gjitha aspektet e jetës. Sipas tij, ky është revolucioni i të papërfaqësuarve.

“Nëse ne bëjmë një kompensim të gjithë asaj energjie, kam besimin se këtu po krijohet një energji e jashtëzakonshme për të çuar presion te të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë shqiptare. E para shkon te kryeministri për dorëheqje, duke e marrë atë nga olimpi me 86 mandate ku qëndronte dhe tashmë e ka zbritur me këmbë në tokë, për të bërë xhiro anembanë me simbolin e protestës, që më përpara nuk e njihte. Përbën një seri fitoresh mbi qeverinë. Gjithë mekanizmi i kangjëllave në Zvërnec është çmontuar. Nga ana tjetër i ushtron presion opozitës, që rikonfirmoi kryetarin, por dukshëm është në një mungesë të qartë rikonfirmimi, kur qytetarët kërkojnë largimin e të gjithë aktorëve që kanë marrë peng klasën politike shqiptare. Mendoj se është një mekanizëm i madh presioni, për të demokratizuar të gjitha aspektet e jetës. Ky është revolucioni i të papërfaqësuarve”, tha mes të tjerash Qiraxhi.


Lajmi kryesor:

‘Zvërneci'/ Mbahet në Tiranë protesta e 13-të kundër resortit luksoz, kërkohet edhe largimi i Ramës e Berishës