Kur kri(ji)mi ndaj natyrës merr dimensione humane
Për atë që është lindur e rritur në qytetin e Tiranës, është e lehtë të kujtohet por dhe të kuptohet se sa vlerë ka pasur një “xhiro nga liqeni” me prindërit në vegjëli, ekskursionet me mësues e nxënës nga parku  në kohën e shkollë, shëtitjet romantike nën dehjen e dashurisë rinore, e më pas piknikët e aktivitetet sportive kur jemi bërë familjarë të rritur.

Parku i vjetër mbart në vetvete shumë jetë, kujtime, romanca, vetmi e gëzime të cilat duket se po thahen ngadalë së bashku me shpresën e pritshmëritë tona, shpresat që kemi pasur në fëmijërinë tonë, ëndrrat e planet rinore.... s’do kemi me ç’t’u tregojmë fëmijëve tanë.

Ditët e fundit qytetarët e metropolit gri të Tiranës po përballen me një dilemë të madhe në lidhje me liqenin e tyre artificial, të vetmin oaz ku mund të shkëputeshin nga rrëmuja e zhurmshme e përditshme: A vlen më shumë ekonomikisht apo shoqërisht,  ky kënd i qetë që po kafshohet gjithmonë e më shumë nga babëzia e ndërtimit?

Me monstruozitetin e fundit parkut të vogël, të vetmes pikë të gjelbër në sipërfaqen e Tiranës po i degradon jo vetëm edhe ajo pak hijeshi natyrore që i kish mbetur, por në mënyrë të pashmangshme  edhe i vetmi dimension njerëzor. Po rrethohet, asfiksohet, zhduket e përfshihet nga burgjet shumëkatëshe që mbartin brenda vetes përçudnimin që vetëm makutëria çnjerëzore mund t’i bëjë natyrës nën pretekstin se “po ndërtojnë modernitetin”!

Pozicioni në vendet e para në listat botërore për ndotjen e ajrit, tokës, ujërave etj, e klasifikimi ndër vendet e fundit në të tjera klasifikime për nga mirëqenia dhe afërsia me natyrën nuk duket se përbën faktor ndikues dhe as indikator për ndryshim pozitiv – tashmë duhet t’i tregojmë vetes dhe të tjerëve që jemi në gjendje të bëjmë edhe më keq se kaq: të kafshojmë veten,  lëndinat, parqet, pyjet, malet e se fundmi edhe liqenet.

Duke lejuar këtë gllabërim po sëmurim veten, po ekzekutojmë njerëzoren e po ia bëjmë ceremoninë funerale me beton mushkërisë së lodhur e të zvogëluar në këtë dhjetëvjeçar, të Tiranës – liqenit artificial e parku te tij.

Para rreth një viti një mikja ime amerikane erdhi në Tiranë e shëtitjet e saj nëpër qytet i mora përsipër t’i organizoja unë. Në rendin e ditës padyshim edhe “Parku i Madh” i Liqenit artificial të Tiranës, i vetmi vend ku mund të merrje pak frymë. 

Një ditë e bukur shtatori, me motin më të mirë e të përshtatshëm për një vizitë pas pune ishte dhe ajo qe vendosim te dalim. E familjarizuar me orientimin përmes hartave (një e blerë jo në Shqipëri) ajo vetë më propozoi të takoheshim direkt tek hyrja e parkut. “Vetëm më thuaj ku është adresa? E gjej vetë” – më tha. “Tek hyrja e parkut të madh të liqenit” - i fola konfuze edhe për vete se kush mund të ish hyrja e parkut. Mbaj mend që i tregova një fotografi të digës në Google.

Kur u takuam në këmbët e digës së madhe të liqenit, kishte një buzëqeshje qesëndisëse në fytyrë. “Ky është liqeni?!!” Qesha dhe unë me pyetjen shpotitëse të saj dhe u solidarizova me zhgënjimin. Bëmë një shëtitje përqark gjithë ‘pellgut’ siç e quajti ajo dhe në çdo bisedë të saj shprehej keqardhja e pallateve që vijonin të ngriheshin në kodrat buzë liqenit.

pallati

“Për pak vite s’do e quani më liqeni i Tiranës këtë sipërfaqen e lagur këtu, ndoshta ish-liqeni i Tiranës por jo liqeni i këtij qyteti. Ai po thahet, e ju po mbyteni nga mania e të banuarit në godina të betonta, dhe është një fatkeqësi që as idenë s’ja keni kapur akoma!!”

Në protestën e shoqërisë civile javën e kaluar ndërkohë që i bashkohesha zërave të organizatorëve, natyrshëm më erdhi në mend pohimi i mikes sime para një viti. Në kaq pak kohë “arritëm” të shkatërrojmë diçka jo të falur nga natyra por të ndërtuar nga njerëz si ne, 50 vite më parë.

‘Liqeni’ u vlerësua me “X mijë Euro metri katror” për ndërtime monstruoze, parku rreth tij u zhvlerësua krejtësisht, tashti ne që e donim këtë qelizë shlodhëse në një qytet marramendës, do t’u themi të tjerëve “…takohemi tek ish liqeni artificial”.

*Sociologe

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)