Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin mbi zgjedhjet në Tiranë, megjithëse i vonuar, është një kthesë simbolike. Një institucion i rëndësishëm i shtetit më në fund ngre kokën dhe vendos të luajë rolin e tij.

Është një dush i ftohtë mbi arrogancën politike, një kujtesë se ndarja e pushteteve nuk është luks, por domosdoshmëri. Veçanërisht për katundin tonë, ku e kemi përjetuar edhe më parë mendësinë e nënshtrimit dhe servilizmit.

Kjo mendësi është ende sot një realitet i dhimbshëm, fshataresk në formë, që zbulon sa të vegjël bëhemi si shoqëri – jo nga mungesa e dijes apo e ligjeve, por nga mungesa e karakterit.

Përfytyro gjithë atë paradë burrash e grash me kostume të shtrenjtë e fjalor të varfër, që dalin çdo mëngjes nga shtëpitë dhe mbushin zyrat e shtetit; drejtues institucionesh, ministra, deputetë. Të kapardisur jashtë, tundës kokash të frikësuar atje brenda; nxënës të bindur që as nuk dinë çfarë përfaqësojnë.

Mjafton një ngritje vetulle nga lart, dhe gjithë kjo klasë “drejtuese” rrëshqet si mbi akull, pa mendim, pa dinjitet, pa asnjë përpjekje për të qenë realisht në lartësinë e funksionit. Pas kostumeve të prera me kujdes fshihet provincializmi i pushtetit pa meritë. Një oborr fshati me një apo dy gjela që krekosen radhazi, ndërsa të tjerët sorollaten përqark, duke pickuar nga sofra e pushtetit.

Kjo është kaq patetike dhe kaq larg një republike moderne që dikur e donte edhe ai që sot mahnit botën nga Tirana me skena pritëse plot shkëlqim. Por që këtu brenda është bërë vetë frymëzuesi i madh i kësaj kulture vocërrake duartrokitjesh.

Në këtë sjellje nuk ka as qytetari, as pjekuri, as përgjegjësi.

Çfarë të thuash kur kjo përfshin edhe kreun e shtetit? Presidenti e dekretoi datën e zgjedhjeve pa pritur as shqyrtimin e ankesës së Veliajt, ndonëse Kushtetuta është e qartë për efektet pezulluese të një ankimimi. Ishte një veprim i nxituar, për të mos thënë i turpshëm.

Ky nuk është triumf i Erion Veliajt – ai ka ende shumë rrugë përpara – por një fitore e ligjit mbi arbitraritetin. Institucionet nuk janë aty për të përmbushur dëshirat e radhës të kreut të Ekzekutivit, cilido qoftë ky sot apo nesër, por për të ruajtur rregullat e lojës, për të krijuar precedentë që i qëndrojnë kohës.

Nëse kemi më shumë vendime si ky i djeshmi i trupës Kushtetuese, ndoshta do kemi edhe më shumë besim. Dhe më pak neveri për shtetin. Neveria është pasoja më e rëndë në afatgjatë e një shteti që tall veten dhe qytetarët e vet me institucione fasadë, që mbajnë vetëm emra të mëdhenj, por jo peshën që duhet.

Shikoni valën e përkrahjes online për vrasësin e gjykatësit për të kuptuar nivelin e kësaj neverie. Ajo lind kur qytetarët nuk shohin më kuptim te rregullat dhe kur ligji zbatohet vetëm për të dobëtit.

Shteti mund të jetë serioz, dinjitoz dhe i drejtë – edhe kur ka presion, edhe kur loja është e madhe. Kjo bën diferencën, jo vetëm në ligj, por në shpresë.

Në fund demokracia që e thirrëm me afsh 30 vjet më parë, nuk mbahet në këmbë vetëm nga votat, por nga besimi. Në një vend ku ky besim është bërë i rrallë si uji në shkretëtirë, çdo akt i drejtë është një pikë që ka rëndësi./Dita