Në fillimet e karrierës së tij politike, shumë e konsideronin Edi Ramën si profan në politikën e jashtme, pa përvojë dhe pa aftësi për të lëvizur në skenën ndërkombëtare.

Sot, ai ka ndërtuar një profil aktiv në marrëdhëniet jashtë vendit. Megjithëse edhe këtu e karakterizon orientimi drejt shfaqjes e protagonizmit – për ata që e shohin si “kapiten të skuadrës së zemrës”, kjo mjafton.

Për të tjerët, dukja dhe prezenca personale nuk janë kurrë të mjaftueshme për një burrë shteti, detyra kryesore e të cilit përballë historisë është balancimi i interesave strategjike afatgjata të vendit. Të vlefshme edhe kur ai të mos jetë.

Dikush mund të pretendojë se hyrja eventuale në Europë është rezultat i këtij “stili”. Por nuk është. As ecja drejt BE, as hyrja në NATO nuk kanë ardhur për shkak të “atleteve të Ramës” apo ushtrisë me shapka të kohës së Berishës.

Shqipëria u bë pjesë e NATO-s edhe pas një skandali ushtarak të madh dhe një tragjedie kombëtare si Gërdeci. Edhe integrimi në Bashkimin Europian, nëse do vijë (gjasat janë të kufizuara) do të vijë për arsyet gjeopolitike që tashmë dihen, jo për merita të Ramës.

Vetë Rama e Berisha i dinë mirë këto histori. Do dukeshin disi më burrërorë nëse do ta refuzonin vetë varjen në qafë të këtyre medaljeve sepse ato janë të rreme. Sigurisht që nuk do ta bëjnë kurrë një gjë të tillë. Nuk janë nga ai soj.

Por nëse duam një shembull të fundëm pse integrimi në BE përcaktohet nga faktorë gjeopolitikë jashtë kontrollit tonë, le të shohim pranimin e shpejtë nga ne të ftesës në “Bordin e Paqes”, edhe pse Bashkimi Europian është skeptik dhe refuzues. Kjo tregon qartë hendekun e madh mes retorikës dhe realitetit të integrimit. Ndryshe nuk ka si ndodhë që një vend kandidat në kulmin e procesit jo vetëm e pranon atë ftesë rrufe, por edhe e shpall fitore historike.

Meqë jemi këtu: Fitore për kë?

A është ky vendim një interes kombëtar i peshuar mirë? Nëse po, cila strategji e debatuar, e analizoi dhe e konkludoi si të tillë? A i mori kjo analizë e supozuar parasysh rrethanat e sotme gjeopolitike? Mos vallë në këto rrethana një vend si yni ka më shumë nevojë për shumëkahshmëri se për rreshtime?

Po vetë Edi a ka mësuar gjë nga pësimi personal me Trump? E quajti dje “turp i njerëzimit”, sot përpëlitet si peshku pa ujë e është gati të paguajë miliarda (jo nga xhepi i tij sigurisht) për ta fshirë e harruar atë që bëri.

A e ka menduar disi të nesërmen e kësaj strukture “të paqes” që nuk ka konsensus të gjerë ndërkombëtar dhe mbart një frymë të theksuar personalizuese? Mos do t’i duhet prapë të përpëlitet nesër për të fshirë të sotmen siç përpëlitet sot për të fshirë të djeshmen?

Pyetjet janë pa fund por janë të gjitha të kota. Askush nuk është kthyer asaj ane. Kryeministri jo e jo.Madje ai e shpall sot krenari të madhe ftesën e atij që dje e quante turp. Pse?

Sepse e vërteta është që kjo ftesë, e paketuar si politikë e madhe ndërkombëtare na duhet dhe do përdoret e tëra për konsum të brendshëm politik.

Opinioni publik është goditur rëndë nga skandale korrupsioni. Sapuni i shpërdorimit brutal të parasë publike duhet shitur për djathë: Qeverisja pra, nuk qenkësh kaq e korruptuar sa thonë këta prokurorët tanë që bëjnë “budallallëqe botërore”. Madje edhe atje në botë, që ta dini ju, prokurorët qenkan “idiotë” që bëjnë “një thes me m…” (citime të Kryeministrit).

Ndaj ky udhëtim historik në Uashington, duhet shpallur si vulë antikorrupsion.

Për këtë na duhen ‘cikle lajmesh’. Analiza shtetërore për kostot dhe pasojat afatgjata të rreshtimit nuk i duhet kujt. Në vend të saj, do shfaqen shkarashkrusit dhe palaçot televizivë me “rroga” dhjetëra mijë e kusur euro në muaj. Hapësira publike do mbushet me këta lëvdonjës profesionistë, ndërsa skepticizmi dhe përpjekja për të menduar e merituar si shoqëri pak më shumë se kaq, do etiketohet si armiqësi.

Do buçasin si përherë duartrokitësit, braulard‑ët e përhershëm të claque‑së sonë qesharake që nuk ka Balzak që i tipizon. Të njëjtë në sjellje dhe në mendësi me Shqipërinë e dikurshme, të cilën kryevizionari ynë e godet me përçmim – me rast e pa rast, si ish-Koreja e Veriut e Europës.

Po ja që edhe atij vetë i duhet sot Shqipëria e panxënë që përpas shuplakat.

Dhe me sa shihet, i pëlqen./Gazeta Dita