Gjykata Kushtetuese ka hapur ‘derën’ për të shqyrtuar në seancë plenare kërkesën e “Vlora Internacional Aeroport-VIA” dhe “2 A Group" për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për Aeroportin e Vlorës. Sipas pretendimeve të palëve, vendimi i 26 majit për rrëzimin e sigurimit të padisë së “2A Group” të Valon Ademit, është i papajtueshëm me Kushtetutën.
Ata kërkojnë dërgimin e çështjes për rigjykim në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë, pezullimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.
Kërkesa nuk pezullon vendimin e Gjykatës së Lartë për t’i dhënë kontrollin e aeroportit kompanisë ‘Mabco’ të biznesmenit Behgjet Pacolli.
Më herët dy gjykatat e faktit i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër ‘Mabco’ deri sa vendimi të merrte formë të prerë.
Kujtojmë që konflikti për Aeroportin e Vlorës ka kaluar në Arbitrazhin e Emergjencës në Londër, pasi shteti ka nisur procedurat për prishjen e koncesionit për shkak të vonesave në përfundimin e punimeve. Arbitri nuk pezulloi zgjidhjen e kontratës, por urdhëroi ruajtjen e status quo-së, deri në ngritjen e tribunalit të arbitrazhit.








Komente
Komento