Emin Pacolli, presidenti i kompanisë ‘Mabco’ në pronësi të Behgjet Pacollit, i ka dërguar një kërkesë zyrtare ministrit Enea Karakaçit për marrje të masave që personeli të hyjë në kantierin e Vlorës për të vijuar punimet.

“Në ushtrim të kompetencave tuaja ligjore, të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme për të mundësuar hyrjen e menjëhershme në kantier të personelit të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve të saj, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura në terminal dhe fillimin pa vonesë të procesit të certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, thuhet në letër.

Duke theksuar se prej 6 javësh nuk u lejohet hyrja në aeroport e terminal, u ushtrohet kontroll nga grupe që veprojnë “pa bazë ligjore” dhe që u janë dëmtuar pajisje e mjete pune, gjë që rrit kostot e projektit dhe vonon punimet, kompania insiston te ndërhyrja institucionale.

“Për këtë arsye, ju kërkojmë të ndërmerrni masat e nevojshme për largimin e menjëhershëm të çdo pengese të paligjshme, rikthimin e kontrollit ligjor mbi kantierin dhe krijimin e kushteve që MABCO të rifillojë menjëherë punimet”, thuhet në letër.

Kujtojmë që dy kompanitë kontraktore, 'Mabco' dhe '2A Group' e Valon Ademit janë drejt fundit të afatit prej 30 ditësh të vendosur nga ministri i Infrastrukturës për zgjidhjen e marrëveshjes. Karakaçi tha se për çdo ditë vonese, do të ketë gjoba e deri në prishje të kontratës koncesionare.

Letra e plotë:

Në emër të MABCO Construction SA dhe stafit të saj drejtues, ju drejtohemi me këtë kërkesë zyrtare dhe apel institucional që, në ushtrim të kompetencave tuaja ligjore, të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme për të mundësuar hyrjen e menjëhershme në kantier të personelit të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve të saj, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura në terminal dhe fillimin pa vonesë të procesit të certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Kjo kërkesë mbështetet në Kontratën e Koncesionit, në legjislacionin shqiptar në fuqi dhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, i cili ka sqaruar përfundimisht situatën juridike dhe të drejtat e aksionarit shumicë.

Prej më shumë se gjashtë javësh, hyrja në aeroport dhe në terminal vazhdon të bllokohet nga roje private, mjete të rënda dhe barrikada të vendosura nga grupe që veprojnë pa asnjë bazë ligjore.

Gjatë kësaj periudhe, këto grupe kanë ushtruar kontroll de facto mbi arealin e aeroportit, ndërsa e gjithë situata është zhvilluar në prani të Policisë së Shtetit, pa u rivendosur ligjshmëria dhe pa u mundësuar zbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë.

Për më tepër, gjatë kësaj periudhe të bllokimit dhe kontrollit të paligjshëm, aeroporti është ekspozuar ndaj akteve të vandalizmit, dëmtimit të aseteve, zhdukjes së pajisjeve dhe mjeteve të punës, si dhe dëmtimeve të tjera materiale që tashmë duhet të riparohen. Këto pasoja jo vetëm që kanë rritur kostot e projektit, por kanë vonuar edhe më tej përfundimin e tij dhe procesin e certifikimit.

Për këtë arsye, ju kërkojmë të ndërmerrni masat e nevojshme për largimin e menjëhershëm të çdo pengese të paligjshme, rikthimin e kontrollit ligjor mbi kantierin dhe krijimin e kushteve që MABCO të rifillojë menjëherë punimet.

MABCO konfirmon edhe një herë, në mënyrë të qartë dhe të parevokueshme, se sapo t'i garantohet qasja e lirë në aeroport, do të mobilizojë menjëherë personelin, ekspertët dhe nënkontraktorët e saj për të riparuar dëmet e shkaktuara gjatë periudhës së bllokimit, për të zëvendësuar pajisjet dhe inventarin e dëmtuar apo të zhdukur, për të përfunduar punimet e mbetura dhe për të filluar menjëherë procesin e certifikimit.

MABCO disponon kapacitetet e plota financiare, teknike, organizative dhe logistike për ta përfunduar projektin. Gjithashtu, partnerët e saj ndërkombëtarë, përfshirë DAA International, janë të gatshëm të fillojnë menjëherë procedurat operacionale dhe procesin e certifikimit, sapo të rikthehen kushtet normale të punës.

Ky apel nuk është i ri. Që nga tetori i vitit të kaluar, MABCO u është drejtuar vazhdimisht institucioneve shtetërore me të njëjtën kërkesë: zbatimin e ligjit, respektimin e Kontratës së Koncesionit dhe krijimin e kushteve për përfundimin e këtij investimi strategjik. Fatkeqësisht, edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë, pengesat vazhdojnë.

Ju bëjmë edhe një herë thirrje që të veproni pa humbur kohë. Çdo ditë vonesë sjell pasoja të rënda teknike, financiare, kontraktore dhe reputacionale, jo vetëm për investitorin, por edhe për vetë projektin dhe interesin publik të Republikës së Shqipërisë.

Mbetemi në pritje të ndërhyrjes suaj dhe të konfirmimit për masat që do të ndërmerren, me besimin se institucionet e shtetit do të garantojnë zbatimin e ligjit, respektimin e vendimeve gjyqësore dhe përfundimin e këtij projekti strategjik.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?