Në dëshminë e tij për gjyqin Partizani, deputeti i PS Taulant Balla këmbënguli se privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani” kishte cenuar interesin publik dhe ishte kryer në kundërshtim me ligjin. Në dëshminë e tij, ai ngriti dyshime mbi statusin e ish-pronarëve, duke pretenduar se një pjesë e tyre ishin kompensuar më herët nga shteti italian dhe, sipas tij, nuk mund të përfitonin më si pronarë. Deputeti socialist theksoi gjithashtu se prova më e fortë e abuzimit ishte vlerësimi i pronës, ku sipas tij dy godina të mëdha në qendër të Tiranës ishin vlerësuar vetëm 100 mijë euro.
Pjesë nga dëshmia
Jamarbër Malltezi: Cili ligj është shkelur kur thoni se është kthyer në mënyrë të paligjshme?
Taulant Balla: Mendoj se duhej t’i mbetej ushtrisë. Është shkelur interesi publik dhe kur ka shkelje të interesit publik, ka shkelje ligji.
Jamarbër Malltezi: Cilave akte ligjore i jeni referuar kur keni bërë kallëzimin?
Taulant Balla: Kodit Penal dhe legjislacionit në fuqi.
Jamarbër Malltezi: Cilës provë i referoheni konkretisht?
Taulant Balla: S’ka provë më të qartë se akti i vlerësimit të asaj prone. Dy godina të mëdha në qendër të Tiranës vlerësohen 100 mijë euro.
Jamarbër Malltezi: Pse thoni “të vetëquajtur ish-pronar”?
Taulant Balla: Rezulton se shteti italian i ka kompensuar ish-pronarët dhe në këto kushte nuk janë pronarë.
Jamarbër Malltezi: Thoni se disa familje janë shpronësuar, pra në rast se ty të del që është shpronësuar Adem Xhepa, është kjo provë që janë shpronësuar edhe të tjerët?
Taulant Balla: I takon prokurorisë ta hetojë dhe verifikojë këtë rast.
Jamarbër Malltezi: Po që i kthehet Mond Begos brenda një viti?
Gjykata: Nuk ka lidhje me këtë çështje.
Gjykata: Nuk pranohet pyetja.
Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni të vendimit të vitit 2006 të KRRT-së, të firmosur nga Edi Rama?
Taulant Balla: Derisa s’e kam në kallëzim, nuk kam dijeni.
Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni të vendimit të vitit 2008 me firmë të Ramës për lejet e ndërtimit?
Taulant Balla: Jam vënë në dijeni që aty, në atë fushë, po ndërtoheshin 17 godina. E para, në kallëzim s’jam referuar kësaj pjese. I qëndroj kallëzimit tim. Të isha në dijeni, do e fusja në kallëzim.
Jamarbër Malltezi: Këtë leje e ka firmosur Edi Rama, jo Sali Berisha.
Lajmi kryesor:
Afera ‘Partizani’/ Dëshmon Balla: Privatizimi u përshpejtua për të favorizuar Malltezin, në 6 muaj, leje për 17 kulla! Përfitoi nga vjehrri kryeministër











