Afera ‘CEZ’, Kalaj e Shkëlzeni
nën hetim për pastrim parash

Afera ‘CEZ’, Kalaj e Shkëlzeni<br />nën hetim për pastrim parash
Ditë ankthi dhe pasigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha, të cilët me ndërmjetësimin e sekserit Nuel Kalaj, rezultojnë se kanë mundësuar shitjen abuzive të 75 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore ‘OSSH’ tek kompania çeke ‘CEZ’, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 414 milionë eurosh.

Pas publikimit të transaksioneve dhe dokumenteve nga komisioni hetimor parlamentar, për tërheqjen e 7 milionë eurove nga sekseri Nuel Kalaj, me çanta, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, pa paguar asnjë taksë dhe pa kryer një punë të dokumentuar, në lëvizje janë vënë menjëherë institucionet kompetente.

Shqiptarja.com ka mësuar se, institucionet ligjzbatuese, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, kanë nisur hetimet ndaj shtetasit kosovar Nuel Kalaj, për pastrim parash, evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Autoritet përgjegjëse, përfshirë edhe shërbimet inteligjente, bazuar në indiciet e ditëve të fundit, po hetojnë burimin e 7 milionë eurove të tërhequra nga Nuel Kalaj, mundësinë e ndarjes me persona të tjerë, tjetërsimin si dhe skemën e investimit në pasuri të paluajtshme, nëse ka.

Shkëlzen Berisha nën hetim
Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se verifikimit për pastrim parash po i nënshtrohen edhe rrethi i personave të lidhur me sekserin Nuel Kalaj, ku përfshihet edhe i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha.

Sipas një e-maili të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, drejtuar nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, Nuel Kalaj rezulton mik i besuar i Shkëlzen Berishës, ku ky i fundit duket se i ka vënë vulën shitjes së OSSH tek çekët. Po ashtu, organet kompetente po verifikojnë edhe veprimet dhe mosveprimet e ish-drejtuesve, gjatë kohës kur Nule Kalaj ka mundur të tërheqë 7 milionë euro, nën hundën e institucioneve, pa paguar taksa dhe pa kryer një shërbim të dokumentuar.

Për një hetim sa më efikas, ka nisur edhe një bashkëpunim mes institucioneve kompetente, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara vitet e fundit. Në ditët në vijim pritet të dalin edhe rezultatet e para të verifikimit për lëvizjen e parave dhe personat e përfshirë në skandalin më të madh të 25 viteve të fundit.

Lëvizja e parave  
Edhe pse ka dyshime të forta se paratë e tërhequra mund të jenë ndarë jashtë sistemit bankar, mes personave që kanë mundësuar shitjen e OSSH në dëm të shqiptarëve, komisioni hetimor parlamentar u ka kërkuar bankave transaksionet bankare për Nule Kalajn, Shkëlzen Berishën, Sali Berishën dhe Hamza Merxhanin. Komisioni hetimor ka dyshimet të forta për 15 milionë euro transaksione bankare të dyshimta, të cilat kanë lidhjet me privatizimin e OSSH.

Po ashtu komisioni u ka kërkuar bankave transaksionet bankare për Suzana Guxhollin, Mimoza Vokshin, Neritan Alibalin, Enno Bozdon dhe familjarët e tyre, si dhe transaksionet bankare për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Negocimit dhe Transparencës.

Po verifikohen gjithashtu edhe lëvizjet e Kastriot Ismailajt dhe Shkëlzen Berishës, pas informacioneve se në periudhën 2009, 2010, 2011 kanë qenë së bashku në Pragë.

Po verifikohen edhe tablatet telefonike të Sali Berishës dhe Nuel Kalaj, pas informacioneve se ka pasur mbi 100 telefona mes tyre. Gjithashtu po verifikohen në sistemin TIMS lëvizjet e Sali Berishës, Shkëlzenit dhe të Nuel Kalajt nëse përkojnë me e-mailet dhe dëshmitë e administruara nga komisioni hetimor.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë