Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për inceneratorin e Elbasanit për dënimet me burg për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe 8 të tjerët, tashmë të shlyera nga të gjithë.
Apeli dënoi Lefter Kokën me 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj, ndërsa Alqi Bllako u dënua me 4 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite e 8 muaj.
Klodian Zoto u dënua me 10 vite burg dhe, me gjykim të shkurtuar, iu caktuan 6.8 vite burgim. I njëjti dënim u dha edhe për Mirel Mërtirin. Stela Gugallja u dënua me 7 vite burgim dhe, me gjykim të shkurtuar, iu caktuan 4.8 vite. Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo u dënuan me 4 vite heqje lirie dhe, me gjykim të shkurtuar, iu caktuan 2.8 vite heqje lirie. Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet edhe për Bardhyl Çabirin, që u dënua me 2 vite burg, dhe Serafin Papa me 1.4 vite burg.
Vendimi u dha po nga kolegji penal i përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni.
Por ish-ministri Koka, do të duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur edhe 6 muaj burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Për impiatin e Tiranës, Lefter Koka u gjykua në masë arresti me burg, dhe u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për “shpërdorim detyre”, me gjykim të shkurtuar. Gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurisë, duke pasur me lirimin e ish-ministrit nga qelia, pasi vlerësoi se dënimi ishte shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim. Megjithatë, Apeli e rrëzoi këtë pjesë të vendimit, vetëm në lidhje me shuarjen e masës së sigurisë, duke bërë që Koka të rikthehet në burg për të vuajtur edhe 6 muaj të tjerë.
Lefter Koka u arrestua në dhjetor 2021, fillimisht për inceneratorin e Elbasanit, por gjatë hetimeve u gjet përgjegjës edhe për impiantet e Fierit dhe Tiranës,
Ai u lirua nga qelia në dhjetor të vitit 2025, pasi për Elbasanin fitoi lirinë me kusht, për Fierin kishte kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit, ndërsa për Tiranën GjKKO e vlerësoi dënimin të shlyer gjatë kohës së paraburgimit
Dy inceneratorët, i Elbasanit dhe i Tiranës janë vulosur me vendim të formës së prerë, ndërsa të Fierit, Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në Apelin e GJKKO-së.
Komente






