TIRANË – Nga SPAK, ku shkoi në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën “Partizani”, Sali Berisha sulmoi sërish gjyqtaren e hetimeve paraprake Irena Gjoka, duke thënë se duhet shkarkuar për shkak se sipas tij ka fshehur dënimin dhe dëbimin nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Duke e etiketuar si delinkuente dhe me pesë mbiemra, kreu i PD-së tha se i janë drejtuar KLGJ-së për të shqyrtuar mandatin e saj, sepse sipas tij, ka një vendim të formës së prerë ndaj saj në shtetin fqinj. 

Sipas Berishës, Gjoka do të shkarkohej që me hyrjen në fuqi të ligjit të dekriminalizimit se ka fshehur dënimin dhe dëbimin nga shteti fqinj, por shtoi se ajo po mbrohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokuroria e Përgjithshme dhe KLGJ. Këtë të fundit e akuzoi se nuk i ka dhënë asnjë përgjigje për kërkesën që i ka parashtruar për mandatin e Gjokës. Sipas tij, çdo vendim i gjyqtares konsiderohet “nul” që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit.

Kreu i PD akuzoi gjithashtu nga Prokuroria e Posaçme, ku kishte mbledhur një grusht mbështetësish, se institucionet po e zvarrisin hetimin mbi çështjen e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit nga gjyqtares, me qëllim kalimin e afateve të ndjekjes penale, parashkrimin e veprës penale. Gjoka, sipas tij, po përdoret si "mashë qorre" për proceset kundër opozitës. 

"Së pari, në mënyrë të paligjshme vonon vendimmarrjen për konstatimin e mbarimit të mandatit meqenëse Irena Gjoka nuk mund të ishte gjykatëse kur ligji ia pengonte një personi të dënuar penalisht të mbante një funksion të tillë. Së dyti, KLGJ, Uluzi Faqja e Zezë, Altin Troplini dhe marioneta të tjera të pushtetit, zvarritën me qëllim hetimin edhe mbi çështjen e shkeljes së ligjit të dekriminalizimit nga Irena Gjoka, e cila ka fshehur dhe nuk ka deklaruar në formular as dënimin penal dhe as dy ekspulset nga Greqia me qëllim të qartë kalimin e afateve të ndjekjes penale, pra parashkrimin e veprës penale.", tha Berisha. 

Për Berishën, Gjoka duhet të ishte në burg për mosdeklarimin në ligjin e dekriminalizimit. 

"E para është ndjekja penale kundrejt Irena Gjokës. Mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit është një vepër penale për të cilën ajo duhet të ishte në burg. E dyta, mosdeklarimi e vendimit penal në formularin e dekriminalizimit sjell përsëri përfundim të mandatit që në momentin kur është kryer shkelja. Kjo është një procedurë administrative, pra jo penale, për të cilat nuk vlen asnjë afat parashkrimi i kodit penal. Nuk ka nevojë për veprim verifikues kaq kompleks.", shtoi ai.

Akuzoi gjithashtu se Gjoka po qëndron në detyrë pasi po mban dosjen e Ilir Metës pa asnjë fakt penal.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:57
FOTOT/ Ushtarët e fundit, Tritan Shehu, Klevis Balliu e dhëndri të vetmit që shoqërojnë Berishën në SPAK! Dhe një makinë me targa serbe...

Tashmë që militantët janë gjithnjë e më të paktë krah Sali Berishës kur paraqitet në SPAK, duket se është të vetët e kanë braktisur.

Të vetmit ushtarë të fundit që e shoqëruan Berishën sot në SPAK, ishin dhëndri Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu në aferën Partizani, si edhe Tritan Shehu dhe djali i Fahri Balliut, Klevisi, i cili nuk lë moment pa i rënë në sy kryetarit.

Këto foto janë shkrepur nga LSA para shtëpisë së Berishës, kur ai do zbriste për të shkuar në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, ndërsa mister mbetet prania aty pranë e një mjeti me targa serbe...

Ora 11:06
Berisha vazhdon sulmet ndaj gjyqtares Gjoka: Delikuente, rri në detyrë se mban dosjen e Ilir Metës pa asnjë fakt penal

 

Nga SPAK, ku u paraqit për të zbatuar masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, Sali Berisha vijoi sulmet për gjyqtaren e hetimit paraprak, Irena Gjoka. Berisha tha se ajo nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, pasi sipas tij ka fshehur dënimin nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Sipas Berishës, ajo mbahet në detyrë vetëm se po mban dosjen Ilir Metës pa asnjë fakt penal, pasi Gjoka është gjyqtarja e seancës paraprake.

“Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse, kjo e bën çdo procedurë gjyqësore të drejtuar prej saj, pas zgjedhjes gjykatëse në kundërshtim me ligj, procedurë të kryer nga një gjykatë jo e caktuar me ligj.

Pra, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës.   Kjo, sipas Kushtetutës, por edhe sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas precedentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Cani kundër Shqipërisë, Irena Gjoka nuk mund të jetë gjykatëse dhe proceset e ndjekura prej saj janë nul. Rikujtoj këtu se ajo mbahet në detyrë sepse ajo mban dosjen e Ilir Metës, dosje që nuk ka asnjë fakt penal, përveç vendimit hakmarrës primitiv të Edi Ramës ndaj tij”, tha Berisha.

Sulmet i vijoi duke e quajtur Gjokën delikuente.

“Kjo delinkuente që fshihet nga Altin Troplini, nga prokurori i përgjithshëm, nga kryeinspektori i përgjithshëm që thotë se nuk na kanë njoftuar, por duket se punonjësit e tij ia kanë fshehur dokumentet, pra kjo qëndron në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar ligjet me tre të pestat, që i diktojnë asaj largimin e menjëhershëm”, sulmoi Berisha.

Ora 10:50
Arrestimi i avokatit Bajrami, Berisha sulmon Prodën: Terror që avokatët të mbyllin gojën në sallën e gjyqit

 

Kreu i PD, Sali Berisha sulmoi kryepolicin Ilir Proda, pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, pas debateve me prokurorin në sallën e gjyqit në Elbasan. Berisha tha se ky është terror që po u ushtrohet avokatëve që të mbyllin gojën në sallën e gjyqit.

“Arrestojnë avokatin në Elbasan, sepse guxoi t’i thotë prokurorit do të bej padi penale. Çfarë fyerje dhe çfarë kërcënimi është ky. Kur një njeri në sallën e gjyqit që mbronte një klient i thotë që po shpif dhe ky bandit me Prodën që është anëtar i bandës, thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen. Të arrestosh avokatin në këtë mënyrë, ky është terrori mbi avokatët që të mbyllin gojën në sallën e gjyqit. Çfarë drejtësie është kjo. Kur e dëgjova, mendova se mos avokati ka humbur nervat dhe ka agresuar prokurorin dhe thashë kjo është e papranueshme, por kur pashë me regjistrime se çfarë ka ndodhur, kjo është turp. Këta që përpiqen të shndërrojnë krimet e tyre të shëmtuara në mburojë për drejtësinë, këta janë dy herë kriminelë”, tha Berisha.

Ora 10:39
Berisha sulmon Dumanin nga SPAK: Avokat i McGonigal dhe armik i pluralizmit

 

Kreu i PD, Sali Berisha ka sulmuar kreun e SPAK, Altin Dumani. Nga Prokuroria e Posaçme ku u paraqit për të zbatuar masën detyrim paraqitjeje, Berisha e quajti Dumanin armik të pluralizmit dhe avokat të McGonigal.

“Avokatit të McGonigal, të krimeve kushtetuese dhe armikut të betuar të pluralizmit, të skllavit të pasurive të tij të paligjshme, apartamenteve etj”, tha Berisha ndërsa zbuloi se ky ishte mesazhi që i ka lënë Dumanit.