TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën arrest shtëpie për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Të dy ndodhen në arrest shtëpie ndërsa janë në hetim për aferën e Partizanit.
Në përfundim të seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj hodhi akuza se kjo çështje po zvarritet me urdhër të Edi Ramës.
“Zgjatja e afatit të kësaj çështje do ecë me kalendarin politik, siç e ka ndarë kryeministri, lidhet me mandatin e Berishës. Janë ato afate që përcaktojnë këto afate”, tha Gjokutaj.
Berisha dhe dhëndri i ishin drejtuar GJKKO me një kërkesë të re për lehtësim të masës së sigurisë, por u rrëzua më 8 prill, duke bërë që më pas avokatët t'i drejtohen Apelit të Posaçëm Por kërkesat e tyre u rrëzuan sërish.
Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen prej muajsh në masën arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve për të njëjtën dosje.