Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi në GJKKO se edhe sot do të vepronte njësoj për procedurat e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani". Ai pranoi njohjen me Malltezin dhe i pyetur nëse ishte në dijeni se dhëndri i Berishës do të ishte përfitues nga kjo procedurë, ish-ministri tha se nuk i kujtohet. Por, edhe nëse do ta dinte, kjo sipas Oketës nuk do të përbënte ndryshim në procedurën që ka ndjekur. Vetë Oketa më herët e pranoi se e firmosi urdhrin që komanda të dorëzonte pronën.

Pjesë nga dëshmia në GJKKO

Enkeleda Millonai: Keni informuar ndonjë strukturë tjetër shtetërore lidhur me këtë situatë me Komandën Mbështetëse, për urdhrin e marrjes në dorëzim dhe a keni njoftuar që kishte ngecur procedura?

Gazmend Oketa: Kur kjo praktikë nuk po ecte, më është kërkuar nga Zyra e Kryeministrisë se çfarë po bëhej me këtë praktikë. Nuk më bënte çudi, sepse ishte i njëjti standard që ndiqej edhe me praktikat e tjera. Prandaj nuk më ka bërë çudi, se ai ishte standardi që ndiqej nga qeveria edhe për çështje shumë më pak të rëndësishme.

Enkeleda Millonai: I njihnit të pandehurit?

Gazmend Oketa: Begenë dhe Pustinën jo. Malltezin e kam njohur si ish-student dhe si anëtar i PD-së, ndërsa Fatmir Bektashin kam pasur një njohje deri diku në distancë, që daton nga viti 2003.

Enkeleda Millonai: Ishit në dijeni se Malltezi ishte përfitues nga këto procedura?

Gazmend Oketa: Nuk më kujtohet, por nuk do të përbënte ndryshim, edhe nëse e dija apo nuk e dija.

Enkeleda Millonai: Keni takuar Albert Xhanin?

Gazmend Oketa: Po, më kujtohet, por kur pronarët e kishin paguar vlerën. Unë isha ministër i Mbrojtjes dhe e mora detyrën në një situatë të vështirë pas tragjedisë së Gërdecit dhe Klubi Partizani nuk ishte prioritet. Kështu që e kam pritur Xhanin. Jam shumë sportdashës dhe jam përpjekur t'i mbështes. Por edhe nëse sot do të vendosesha përballë kësaj praktike, do të merrja të njëjtin vendim. Nëse nuk e merrja, mund të isha nën akuzë, sepse pronarët mund të fitonin në Strasburg dhe mund të kishte një faturë të madhe, e të vija nën akuzë pse nuk e kisha kthyer.

Enkeleda Millonai: Objektet jepeshin me koncesion me kusht që të mos ndryshohej destinacioni?

Gazmend Oketa: Ai objekt nuk ishte në planin e përhapjes.

Enkeleda Millonai: Ndonjë strukturë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ju ka kontaktuar në lidhje me këto procedura privatizimi?

Gazmend Oketa: S'e mbaj mend kështu, që probabiliteti më i madh është jo.


Lajmi kryesor:

Afera Partizani/ Ish-ministri i Mbrojtjes Oketa mbron Berishën dhe mohon presionet! Gjenerali Qirjazi e akuzon se e kërcënoi në zyrë: Firmose me urgjencë privatizimin se ma kërkojnë (VIDEO)