Për shkak të kaosit në aeroportin e Kabulit vijon të mos jete nisur avioni me emigrantë afganë që do të strehohen në Shqipëri. Për ditën e nesërme janë planifikuar 2 fluturime Kabul-Tiranë, por asgjë s'është e sigurt pasi të njëjtat planifikime janë anuluar edhe ditë më herët si pasojë e tensioneve të krijuara nga talebanët të cilët kanë "pushtuar" Afganistanin.

Ndërkohë këtë pasdite një foto e disa qytetarëve nga Bangladeshi e shkrepur pranë godinave të Qytetit Studenti është shpërndarë menjëherë në disa portale, ku shkruhet se ata janë afganë. Lajmi është i rremë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ata janë emigrantë nga Bangladeshi dhe se kanë shkuar pranë godinave të qytetit studenti pasi kanë ngatërruar hotelin. Policia i ka shoqëruar për të kryer procedurat e nevojshme.Të fotografuarit janë punonjës sezonalë nga Bangladeshi.

Prej së hënës deri ditën e sotme ishin planifikuar fluturime nga Kabuli drejt Tiranës për të sjellë qytetarët afganë por ato janë anulluar.

Në një intervistë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pritet të mbërrijnë rreth 1000 afganë, teksa hodhi poshtë çdo mundësi strehimi në kampe të krijuara posaçërisht për ta, pasi sipas tij do të ishte çnjerëzore. Konviktet në Qytetin Studenti kanë gati 1200 shtretër, ndërsa grupi i parë i afganëve që do të vijnë do të jetë prej rreth 300 personash.  Përveç Tiranës dhe Durrësit, edhe Berati do të hapë dyert për të pritur afganët. Në Tiranë do shërbejnë konviktet e Qytet Studentit si strehë për bashkëpunëtorët e perëndimit në Afganistan, në Durrës do të jenë hotelet, teksa në Berat do të vendosen në hotel "Colombo", ish-universiteti "Ufo". 

Shqipëria është në mesin e 12 vendeve që kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë. Kurse të paktën 14 vende kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit. Kështu ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë për shtyp. Blinken tha se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatët nuk kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA dhe do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë.

Vendimi i Shqipërisë për të strehuar qindra afganë, të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët, ka gjetur mirënjohjen e SHBA-së. Edhe diplomatja Yuri Kim, Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright shprehën një zëri se janë krenar që Shqipëria është mike dhe aleate e SHBA-së, pasi në raste të rëndësishme populli shqiptar gjendet gjithmonë pranë amerikanëve për shpëtimin e jetëve.