ATSH-AFP/ - Dy atentate kamikaze, njëri prej të cilëve kundër forcave të NATO-s në qendër të Kabulit, kanë shkaktuar dy të vdekur dhe rreth 60 të plagosur sot në Afganistan, mes një sezoni luftimesh të rebelëve islamikë.

"Një kamikaz është hedhur në erë gjatë kalimit të një autokolone të koalicionit të forcave të huaja të NATO-s që ishte nisur drejt aeroportit të Kabulit", deklaroi një përfaqësuese e trupave të misionit të Aleancës në Afganistan. .

"Asnjë ushtar nuk është plagosur në këtë sulm", shtoi ajo.

"Bëhet fjalë për një atentat kamikaz me një makinë të mbushur me eksploziv. Ai kishte si shënjestër një autokolonë të forcave të huaja, ne nuk kemi më shumë informacione për momentin", deklaroi Sediq Sediqqi, zëdhënës i ministrisë afgane të Brendshme.

Shpërthimi ndodhi jo shumë larg ambasadës amerikane, një bazë ku janë vendosur trupat e huaja dhe një qendër tregtare.

Më herët, një auto-bombë shpërtheu në provincën afgane të Helmandit, duke vrarë dy civilë dhe duke plagosur 51 të tjerë.
Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë lokale, sipas të cilit, shpërthimi ndodhi pranë selisë së policisë në Lashkar Gah, që është dhe kryeqendra e provincës./
/ec/