Një shpërthim i fuqishëm bombe, e vendosur në një makinë të parkuar, ka shkaktuar të paktën 89 të vdekur, përfshirë gra dhe fëmijë, në provincën juglindore afgane, Paktika. Autoritetet lokale thanë se bomba ishte vendosur në një automjet të parkuar, mëngjesin e sotëm në zonën e Urgunit. "Forcat e sigurisë kishin dyshuar për makinën, të cilët sulmuesit e kishin lënë në parking para se të largoheshin", deklaroi Malim Raza, një zyrtar i administartës së qarkut, sipas agjencisë zyrtare turke të lajmeve, Anadolu. "Makina erdhi në drejtim të tregut dhe shpërtheu", thanë disa dëshmitarë. Raza shtoi se numri i të vdekurve mund të rritej edhe më shumë për shkak se shumë të tjerë kanë marrë plagë të rënda në trup nga shpërthimi. Zyrtarë të shërbimeve lokale thanë se shpërthimi ishte aq i madh saqë një market dykatësh u shemb mbi dyqanet dhe klientët. Shumë të tjere janë të frikësuar si dhe të bllokuar nën rrënoja. Urguni konsiderohet një zonë relativisht e qetë në provincën Paktika, që është nën kontrollin dhe ndikimin e talebanëve. Asnjë grup ose individ nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, por autoritetet fajësojnë militantët talebanë për sulme të tilla./ATSH/