Zëvendës guvernatori i provincës Kandahar në jug të Afganistanit, Abdul Qadim Patyal, është vrarë ndërsa ishte i ulur në një klasë të një Universiteti.
 
Autoritetet e vendit njoftojnë se Patyal 32 vjeçar, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, pasi një person i armatosur ka shtënë me armë zjarri në të, përmes një dritare të një klase në Universitetin e Kandaharit.
 
Rasti ka ndodhur në orët e vona të 2 nëntorit.
 
Përmes një deklarate lëshuar nga zyra e Presidentit Ashraf Ghani, vrasja është cilësuar si sulm terrorist. Ndërsa thuhet se qeveria do të hetojë rastin.
 
Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
 
Ndryshe, ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Para gati tre vjetësh, njëjtë është vrarë zëvendës guvernatori i provincës së Kandaharit jugor.
 
Zëvendës guvernatori i atëhershëm ishte Abdul Latif Ashna, makina e të cilit ishte sulmuar nga talibanët.
 
Talibanët ndonëse tash sa vite janë vu në sulme kundër qeverisë, muajt e fundit ata kanë rritur edhe më shumë aktivitetet e tyre./rel/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)