Agim Hushi, “Amore grande”
një album që po trondit Vjenën

Agim Hushi, “Amore grande”<br />një album që po trondit Vjenën
TIRANE - Kritika vjeneze është shprehur me superlativa për albumin “Amore grande” të tenorit shqiptar Agim Hushi, një album ku përfshihen këngët më të bukura të repertorit të tij.

Edhe pse ka vetëm një javë që ka dalë në tregun muzikor impakti ka qenë i madh. E kanë cilësuar këtë album si një ndër më të bukurit realizuar këto vitet e fundit në historinë botërore të incizimeve, përfshirë këtu edhe emra të mëdhenj si Pavaroti, Domingo dhe Karreas dhe se nuk mund të gjesh një tjetër album të kësaj natyre ku të përfshihen në një, këngët më të bukura dhe njëkohësisht më të vështirat të repertorit botëror të tenorit.

“Deutche gramafone” kompania prestigjioze e regjistrimeve muzikore e ka cilësuar si një stuhi emocionesh, e padëgjuar deri më sot”, ndërsa Richard Winter, presidenti i prestigjiozes “Gramola”, e cila publikon vetëm emrat më të mëdhenj të muzikës klasike ka thënë se është surprizuar nga ky album dhe se zëri i Agim Hushit është zëri më i bukur i tenorit sot për sot në botë.

Albumi doli në tregun muzikor vjenez në fillim të javës, ndërsa një promovim zyrtar i tij do të shënohet në mes të muajit maj, ku pritet të marrin pjesë emrat më të rëndësishëm të muzikës dhe artit, ndërsa në Amerikë do të ketë një promovim në muajin shtator.

Albumi është regjistruar në tetor të 2012-s në Sofje me orkestrën prestigjioze “New Europe Symphony Orchestra”, të cilën kritikët herë-herë e krahasojnë me Filarmoninë e Vjenës.
Por ajo që është surpriza e vërtetë, është kënga e pestë e albumit, “Song of the night”, e kompozuar dhe me tekst nga vetë mjeshtri Hushi.

Vetë tenori Agim Hushi është i befasuar nga ky sukses. Ai shprehet për “Shqiptarja.com” se ky është apogjeu i karrierës së tij. Thotë se duhet dëgjuar patjetër ky album për të kuptuar domethënien e këtyre superlativave që kanë shoqëruar daljen e tij në tregun muzikor.
Thotë se e ka titulluar “Amore grande”, duke kërkuar një përcaktim të saktë të asaj çka i nevojitet sot botës e njerëzimit.

“E kam quajtur ‘Amore grande’, sepse bota ka nevojë për dashuri dhe vetëm një dashuri e madhe i shëron plagët e njerëzimit”, thotë maestro Hushi.

Ndërsa ka shënuar shumë suksese në opera, duket se karriera e Agim Hushit po ndryshon paksa drejtim. Tek ky album thotë se e ka drejtuar nevoja e tij shpirtërore në art, “një kulm i asaj çka kam ndjerë gjithë jetën, kuptimi dhe përkufizimi më i saktë i gjithë punës, frymëzimeve dhe emocioneve që kam marrë gjatë jetës time artistike...”.

Tenori Hushi thotë se ka nisur një karrierë të re vetëm me koncerte recitale në qytetet më të rëndësishme të botës. Thotë se kriza botërore e ka goditur edhe operën e tashmë ka më pak premiera, madje edhe në skenat e mëdha si La Scala. Koncertet e mëdha recitale thotë se i vijnë më për shtat në këtë fazë të karrierës së tij.

“Në fund të majit do të nis një tur koncertesh në Pekin që do të finalizohet me një koncert gjigand në 30 gusht, ku do të këndojë ariet më të famshme nga “Otello”, “Luiza miller”, “Le Willi” etj”, thotë Hushi, duke na zbuluar edhe angazhimet e reja që e presin.

FJALËT E AGIM HUSHIT

Hapja e albumit është e veçantë, diçka e panjohur në historinë e regjistrimeve muzikore. Tenori ka regjistruar një fjalë të tijën ku e fton publikun ta dëgjojë këtë album. Fjala e tij shoqërohet nga një vijë melodike ku spikat violina, ndërsa kritika muzikore në Vjenë e ka vlerësuar mjaft këtë gjetje.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset