Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, e ka cilësuar si të papranueshëm veprimin e deputetit Agron Shehaj, i cili u përjashtua me 60 ditë nga punimet e Kuvendit pasi mori jashtë sallës një dokument të klasifikuar që lidhej me marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA.
Në një intervistë për Report Tv, Çipa tha se sjellja e Shehajt përbën një shkelje të rëndë etike dhe cenon standardet e parlamentarizmit.
"Sido që ta shikosh, kjo është një gjë e pahijshme në planin etik për parlamentarizmin dhe sidomos për një kryesues të një force të re politike siç është zoti Shehaj. Veprime të tilla, që vënë në pozitë shumë të vështirë një punonjëse të Parlamentit dhe, nga ana tjetër, dëshmojnë e ekspozojnë një sjellje të tillë ndaj dokumentacionit zyrtar dhe institucionalizimit në përgjithësi, jo vetëm që janë të pahijshme, por meritojnë të ndëshkohen. Në planin etik dhe moral është shembull i një sjelljeje që nuk meriton të pranohet", u shpreh Çipa.
Sipas tij, episode të tilla dëmtojnë edhe besueshmërinë e institucioneve shqiptare në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
"Ky veprim dhe disa veprime që shpesh vihen re në sjelljen publike të parlamentarëve tanë ekspozojnë përgjegjshmërinë e tyre etike, edhe në raport me besueshmërinë dhe imazhin ndërkombëtar. Ky dokument autentik ka të bëjë me një dokument strategjik dhe me atë që quhet vëmendshmëria e opinionit ndërkombëtar ndaj kulturës dhe ndërgjegjes që kemi për institucionalizimin dhe sidomos për marrëdhënien me dokumentacionin e klasifikuar", deklaroi kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Komente









