Ahmetaj: Investimet publike drejt mbylljes së projekteve të nisura


TIRANE, 13 Nëntor/ATSH/- Qeveria ka parashikuar të investojë 80 miliardë lekë ose 5.4 për qind të prodhimit kombëtar për vitin e ardhshëm. Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj deklaroi të enjten në Komisionin Parlametar të Ekonomisë dhe Financave se kjo është shifra më e lartë e 5 viteve të fundit.
"Kjo është një shifër rekord, duke futur në paketë uljen e defiçitit, uljen e borxhit publik, ruajtjen e nivelit madje në shumë aspekte, rritjen e buxhetit social, mosprekjen në asnjë mënyrë të të drejtës sociale, rritjes e subvencionit për energjinë", tha Ahmetaj. Fondi total i investimeve është i ndarë në dy pjesë, ku 67.5 miliardë lekë janë investime në projekte kombëtare, ndërsa 12.5 miliardë lekë të tjera kalojnë përmes Fondit Rajonal të Zhvillimit që administron pushteti vendor.
Por, ndarja sipas zonave e këtij fondi, u kundërshtua nga deputeti Gjovalin Kadelli. "Investimet në qarqet veriore, në krahasim me qarqet jugore, janë dy herë më pak, në vitin 2014. Parashikimi i vitit 2015, referuar shpërndarjes së fondeve të një viti më parë, duhet të jetë më korrekt", tha deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli.
"Për ta ndarë Shqipërinë është shumë më kollaj. Zoti Kadelli, mos i fryni kësaj historie", tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Ndërsa ministri Ahmetaj iu drejtua kadellit duke i thënë se "shqetësimi juaj nuk qëndron". Ai shprehu bindjen se 2015-a do këtë të njëjtën filozofi të kujdesshme për të financuar projekte në të gjithë Shqipërinë.
Investimet publike edhe gjatë vitit 2015 ashtu si edhe këtë vit do të fokusohen kryesht në përfundimin e projekteve të nisura.
Sipas Ahmetajt projektet e nisura, të hapura vite më parë me vetëm 1/10 e financimit të siguruar, do të vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të shpenzimeve kapitale të planifikuara në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.
Ahmetaj deklaroi se rritja e tatimit mbi të ardhurat është një politikë, që nuk synon rritjen e barrës, por vendosjen e drejtësisë fiskale. Duke folur në komisionin e  Ekonomisë dhe Financave, Ahmetaj sqaroi se nuk mundet që një i punësuar të paguajë 15 % dhe një sipërmarrës që merr divident të paguajë 10%."Këto duhet të balancohen. Pra, politika fiskale që kemi ndjekur, ajo paketë modeste në ekuilibrim dhe shumë pozitive në lehtësim procedurash, është vazhdimësi e drejtësisë fiskale. Kush fiton më pak, patjetër do të paguajë më pak".
Ministri akuzoi opozitën se përmes deklaratave të rreme, si ajo e taksimit të depozitave po përpiqet qëllimisht të përhapë panik në ekonomi. Sipas tij, edhe rritja e taksës së naftës do të ketë ndikim të papërfillshëm në kostot e biznesit, ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe iu kujtoi sipërmarrësve një tjetër llogari.
"Kush pyet për barrën fiskale dhe kush vjen para këtij Komisioni të flasë për barrën fiskale, duhet të ketë parasysh këtë gjë. 635 milionë dollarë që do të shlyhen deri në fund të vitit tjetër borxhe të prapambetura. Kujtoni, barra fiskale e rritur në 2 vjet, ajo që quhet e tillë, është vetëm 36 miliardë lekë, ndërkohë që kemi marrë përsipër të shlyejmë 63.5 miliardë lekë, drejtpërdrejt tek sipërmarrja", tha Brace.
Në paketën e re fiskale, Qeveria ka rritur nga 10 në 15 për qind tatimin mbi të ardhurat personale veç pagës, ndërkohë që rritet me 10 lekë për litër taksa e naftës dhe 20 lekë për paketë akciza e cigareve./a.gjonaj/./a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari