Ahmetaj pret shoqatën e ndërtuesve: Përmirësimi i klimës së biznesit, kryefjala e qeverisë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve, në kuadër të një procesi të gjerë konsultimi që ka filluar me bizneset e vegjël në të gjithë vendin. Kjo nismë do të vijojë me të gjithë shoqatat dhe Dhomat e Tregtisë për nismat e reja fiskale të qeverisë, në favor të lehtësimit të sipërmarrjes dhe përmirësimit të klimës së biznesit.

Faleminderit për prezencën. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar një konsultim, ashtu siç dhe referohet në ligjet fiskale dhe në ligjin organik të buxhetit, një konsultim për paketën e re fiskale potenciale, pra nëse do të kemi dhe vendosëm që konsultën e parë ta bëjmë me shoqatën tuaj, edhe për shkak të një kërkesë të kahershme që ju keni pasur, që në thelb ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë tatimore midis ndërtuesit/investitorit dhe pronarit të tokës. Ka qenë një diskutim e një debat i kahershëm, ju keni filluar ta ngrini si çështje dhe si shqetësim që në vitin 2008. Është një porosi e Kryeministrit që konsultimi të fillojë me shoqatat e sipërmarrjes, duke nisur që nga shoqata juaj, shoqata e biznesit të vogël, shoqatat e tjera, me dhomat e tregtisë, një konsultë që do të vazhdojë dhe përtej korrikut, në vazhdimësi, dhe besoj që në periudhën korrik-gusht do të kemi formatimin e parë të politikës fiskale. Ka disa vendimmarrje e iniciativa të Kryeministrit që kanë të bëjnë me trajtimin e biznesit të vogël që do të lançohen në javët që vijojnë, të cilat mund të prekin disa ligje, midis tyre dhe ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat, kështu që kemi një rast të mirë, pasi të konsultohemi, pasi të sqarohemi dhe të kemi ndërtuar një racionale të përbashkët, të arrijmë në një konkluzion dhe ndoshta të përfitojmë dhe nga hapësira që do të krijohet përsa i përket këtij ligji, të bëjmë ato ndryshime që ne mendojmë se janë të duhura dhe që ju keni shumë kohë që i kërkoni. Përpara se ta mbyll fjalën time dua të theksoj që përmirësimi i klimës së biznesit është kryefjalë e qeverisë. Dhe Progres Raporti i Komisionit Europian e theksonte me forcë që ka një përmirësim të klimës së biznesit, por ka akoma shumë për të bërë. Në të njëjtën kohë, është dhe detyrimi i qeverisë që të vazhdojë konsultimin me të gjithë, me qytetarët, me sipërmarrjen e vogël, sidomos për atë që ne kemi avancuar e që ka të bëjë me uljen e pragut të TVSH-së. Fatmirësisht biznesi i vogël është në kuptueshmëri të plotë me atë masë, në aspektin e trajtimit si procedurë, sepse është procedurë dhe jo taksë e re. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve na ka informuar dje, informacion që dua të ndaj me ju dhe me qytetarët, që deri më sot janë kontaktuar në njësitë e tyre 5700 biznese të vogla në gjithë Republikën e Shqipërisë nga 9975 biznese që do të preken nga ndryshimi i procedurës, pra nga detyrimi i deklarimit të TVSH-së. Ne kemi marrë një angazhim që deri në 14 korrik kur të fillojë detyrimi i deklarimit për sipërmarrjen e vogël, deri atë ditë ne do të kemi prekur, informuar, ndihmuar, sqaruar, të gjithë sipërmarrjen e vogël që do të preket nga ndryshimi i procedurës. Pra, deri atë ditë, ne do të kemi prekur në njësitë e tyre me informacion, me komunikim, me sqarim, 9975 biznese. Është një fushatë shumë e thellë, shumë e detajuar, shumë e kujdesshme në funksion të sipërmarrjes së vogël. Në të njëjtën kohë, ju besoj që keni ndjekur ndryshimet e fundit fiskale që kanë të bëjnë me paketën e turizmit, me uljen e tatim fitimit, me bërjen zero të tatim fitimit, me uljen e TVSH-së, me mos aplikimin e taksës së infrastrukturës apo të pronës, për ndërtues/investitorë në struktura akomoduese me 4 e 5 yje. Ka një iniciativë të fundit të Kryeministrit që do të prekë agroturizmin me të njëjtën frymë dhe në vazhdën e saj, po një iniciativë tjetër e Kryeministrit, por në këndvështrim të lehtësimit të barrës fiskale për sipërmarrjen. Dua t’ju kujtoj me modesti që qeveria po ul barrën fiskale në vazhdimësi për sipërmarrjen, që pas momentit të vitit 2013 kur trashëguam atë rrezikshmëri ekonomike e mal me borxhe dhe, në të njëjtën kohë, po vazhdojmë të ulim borxhin publik që është gangrenë në kurriz të qytetarëve. Edhe Raport Progresi dje e theksonte, me kënaqësi e ndaj me ju, që situata ekonomike e Shqipërisë e ka lënë mbrapa krizën, por sigurisht që ka sfidat dhe risqet e veta. Faleminderit për pjesëmarrjen.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë,  Arben Ahmetaj

Në radhë të parë ju falënderojmë z. Ministër. Ne të gjithë e ndiejmë si një vlerësim që qeveria, ju, keni menduar ta nisni diskutimin e dialogimin për problemet fiskale në ekonomi me shoqatën tonë, pasi dihet për peshën dhe problematikat që ajo ka. Po ashtu, ne na bëhet shumë qejfi që më së fundi, pas 10 vjetëve, një padrejtësi bërë ndaj ndërtuesve, që paguanin padrejtësisht taksën e pronarit të truallit, pra e paguanin firmat ndërtuese, në një kohë kur fare mirë, atyre mund t’u merret në momentin e regjistrimit të pasurisë në zyrat e pasurisë së paluajtshme. Ky hap i ndërmarrë nga ju do të formalizohet, jemi të bindur që do të formalizohet dhe ne ndihemi të mbështetur në punën tonë. Shpresojmë që në dialogimin që do të bëjmë dhe për dy-tre probleme të tjera që kemi, që do të ndihmojmë tërë sektorin e ndërtimit, do të gjejmë po ashtu mbështetjen tuaj.

Luigj Aleksi

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë