Jeffrey Epstein fajësoi “Charles” ditën kur Andrew Mountbatten-Windsor humbi postin e tij si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Më 21 korrik 2011, ditën kur u njoftua se ish-princi do të tërhiqej nga detyra, Epstein shkroi: “Besoj se ai e di që kjo është vepër e Charles”. Emaili ishte përgjigje ndaj një mesazhi të një bashkëpunëtori, i cili i shkruante: “Shumë mbulim televiziv për PA dhe një lajm i madh për ty. Çmenduri.”

Sipas Sky News, “PA” i referohet ish-princit Andrew.

Ish-princi shërbeu si përfaqësuesi i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare midis viteve 2001 dhe 2011. Roli i dha atij akses te kontakte të larta qeveritare dhe biznesi në mbarë botën.

Ai u tërhoq nga funksioni pas kritikave në rritje lidhur me marrëdhënien e tij të vazhdueshme me financierin amerikan, i dënuar për krime seksuale.

Një fotografi e tyre duke ecur në Central Park në New York bëri bujë në media në muajt përpara dorëheqjes së tij.

Tre milionë dokumentet e reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë fragmente bisedash personale që po zhvilloheshin kur marrëdhënia mes Andrew dhe Epstein pushtonte titujt kryesorë 15 vite më parë.

Epstein u kishte dërguar email miqve gjatë gjithë ditës për lajmin se Andrew kishte humbur detyrën e tij zyrtare. “Jam i sigurt se kjo është e mirë për të, tani do të jetë i lirë”, shkruante pedofili.

Ai gjithashtu i dërgoi një artikull lajmesh për dorëheqjen e Andrew Ghislaine Maxwellit, e cila pyeti: “Pse?” Epstein u përgjigj: “Mendoj se ai dëshiron të bëjë para”.

Andrew Mountbatten-Windsor u arrestua në 66-vjetorin e tij për abuzim me detyrën. Ai u lirua pas 11 orëve marrjesh në pyetje. Në një deklaratë publike, mbreti Charles tha se Buckingham është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë dhe se ligji duhet të ndjekë rrugën e tij. Andrew ka mohuar çdo lidhje me ndonjë vepër penale.