Gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa do të gjykohet pa një masë sigurie. Kërkesa e saj për heqje të masave “detyrim paraqitje” dhe “ndalimi i daljes jashtë vendi” është pranuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO). Gjithashtu e SPAK ka qenë dakord me kërkesën e ardhur nga avokatët mbrojtës të Ajola Xoxës.

Kërkesa e Xoxës është e argumentuar mbi situatën e saj shëndetësore për shkak të shtatzënisë dhe komplikacioneve teksa i duhet dhe të udhëtojë jashtë vendi për një vizitë të specializuar. Ishte 3-shja e gjyqtarëve Engjëllushe Tahiri kryesuese, Elsa Ulliri dhe Alma Kodraliu anëtare që shqyrtuan dhe pranuan kërkesën e gruas së Erion Veliajt.

Vendimi:

1. Kërkuesja Ajola Xoxa me datë 26.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimi ose zëvendësimi i masave të sigurimit personal të vendosura me vendimin nr.14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konkretisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” (Neni 233 K.Pr.Penale) dhe “Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore” (Neni 234 K.Pr.Penale)”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Engjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, bazuar në nenet 228, 229, 230, 233, 234, 237, 146/6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 248, datë 30.03.2026, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së të pandehurës/kërkueses Ajola Xoxa.

2. Revokimin e vendimit për caktimin e masave të sigurimit personal, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.14 datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

4. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë. 5. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

SPAK akuzon Ajola Xoxën për “ Korrupsion pasiv” në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, “Pastrim parash”, “Mosdeklarim pasurie” dhe “Fshehje e të ardhurave”. Dosja në ngarkim të saj po gjykohet në themel nga GJKKO së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj e disa biznesmenë të tjerë.

Më datë 10 shkurt, GJKKO firmosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ajola Xoxën e “arrest me burg” për bashkëshortin e saj. 48 orë më vonë, në daljen përpara gjykatës për verifikim të masës së sigurisë, ndaj Xoxës u caktua “detyrim paraqitje” dhe “ndalimi i daljes jashtë vendi”.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë