Gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa do të gjykohet pa një masë sigurie. Kërkesa e saj për heqje të masave “detyrim paraqitje” dhe “ndalimi i daljes jashtë vendi” është pranuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO). Gjithashtu e SPAK ka qenë dakord me kërkesën e ardhur nga avokatët mbrojtës të Ajola Xoxës.
Kërkesa e Xoxës është e argumentuar mbi situatën e saj shëndetësore për shkak të shtatzënisë dhe komplikacioneve teksa i duhet dhe të udhëtojë jashtë vendi për një vizitë të specializuar. Ishte 3-shja e gjyqtarëve Engjëllushe Tahiri kryesuese, Elsa Ulliri dhe Alma Kodraliu anëtare që shqyrtuan dhe pranuan kërkesën e gruas së Erion Veliajt.
SPAK akuzon Ajola Xoxën për “ Korrupsion pasiv” në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, “Pastrim parash”, “Mosdeklarim pasurie” dhe “Fshehje e të ardhurave”. Dosja në ngarkim të saj po gjykohet në themel nga GJKKO së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj e disa biznesmenë të tjerë.
Më datë 10 shkurt, GJKKO firmosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ajola Xoxën e “arrest me burg” për bashkëshortin e saj. 48 orë më vonë, në daljen përpara gjykatës për verifikim të masës së sigurisë, ndaj Xoxës u caktua “detyrim paraqitje” dhe “ndalimi i daljes jashtë vendi”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











