TIRANE- Aleanca Kuq e Zi ka kritikuar ashpër sot dy kampet kryesore politike në lidhje me qëndrimin e tyre në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
“Si gjithmonë politika shqiptare në konfliktin e saj të njohur nuk ishte në gjëndje të çpolitizonte procesin e zgjedhjes së Presidentit. Shqiptarët prisnin, që figura të njohura kandidatësh për President, të propozuara nga të dy palët, te dilnin në skenën e garës muaj me parë, që të njiheshin dhe të diskutoheshin në mbarë opinionin publik.”- theksoi sot në një konferencë për mediat, perfaqesuesja e Aleances KuqeZi, Lumturi Ratkoseri. 

AK i ka kujtuar sot politikës shqiptare se populli pret Presidentin konsensual, Brukseli po ashtu, kurse në parlament edhe një emër që afishohet, nuk propozohet as zyrtarisht. Ky fakt sipas AK nuk është vetëm fyerje për kandidatin por mbi të gjitha është tallje me popullin. 

Përfaqësuesja e Aleancës Kuq e Zi, Lumturi Ratkoseri, theksoi se nuk mund të ketë zgjidhje konsensuale, derisa fillimi i këtij procesi ka qënë poshtërues ndaj Kushetutës dhe dinjitetit të demokracisë shqiptare që s’u arrit kurrë. Urrejtja dhe papajtueshmeria që kanë të dy partitë e mëdha ndaj njëra-tjetrës, është duke e infektuar gjithë shoqërinë e sotme shqiptare- deklaron AK . 

Populli ynë që pret me padurim marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian duhet të ndëshkojë me votën e tij demokratike pengimin e vetëdijshëm të progresit politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit-përfundon deklarata për mediat e AK. 
(jd/shqiptarja.com)