Akademia e Arteve homazhe
në nderim të Albert Paparistos

Akademia e Arteve homazhe<br />në nderim të Albert Paparistos
Në Akademinë e Arteve janë zhvilluar ditën e sotme nga ora 11:00-12:00, homazhet në nderim të figurës së Profesor Albert Paparisto.
 
Muzikologu i shquar shqiptar Albert Paparisto ndërroi jetë nga shkaqe natyrore në moshën 90 vjeçare më 2 nëntor të këtij viti në Miçigan të këtij viti. Ai la pas bashkëshorten, Ermelinda, fëmijët Gjergj dhe Ledi si dhe mbesën e nipin.

 
Kush ishte Profesor Albert Paparisto
Prof. Paparisto do të mbahet mend si themeluesi i Operas dhe Konservatorit Shqiptar. Disa prej krijimeve të tij muzikore janë bërë pjesë e teksteve shkollore dhe vepra klasike të repertorit tonë muzikor.
 
Albert Paparisto u diplomua për muzikologji në vitin 1956 nga Konservatori Çajkovski i Moskës, nën drejtimin e të famshmit Dmitri Shostakoviç. Diploma e tij me notat shkëlqyeshëm u botua në gazetën kryesore të Moskës.
 
Më 1958 ai u bë drejtori i parë i Teatrit të Operas e Baletit, ndërsa në janar 1962 themeloi Konservatorin Muzikor të Tiranës si drejtor i parë i tij. “Meqenëse nuk kishim libra, - tregon profesori, - transferova aty bibliotekën dhe fonotekën time personale.”
 
Albert Paparisto ishte një muzikolog serioz dhe i përkushtuar. Pas kthimit në Shqipëri nga studimet, ai kërkoi të merrej me pasionin e tij, muzikën. Kur titullari i ministrisë së kulturës kërkoi ta merrte të punonte në ministri, Alberti i tha prerë: “Nuk dua të bëhem burokrat, dua të merrem me zanatin tim.”
 
Në vitet e para të Konservatorit, Paparisto jepte disa nga lëndët më të vështira, siç ishin harmonia dhe analiza e veprave muzikore dhe udhëhiqte njëkohësisht klasën e muzikologjisë.
 
Në janar 1966, për arsye politike, vetëm katër vjet pas themelimit të Konservatorit, Prof. Papariston e përjashtuan nga partia dhe e dërguan në Shkodër. Në fillim e emëruan dirigjent në Shtëpinë e Kulturës, ku ai e mbajti gjallë pasionin dhe organizonte koncerte me orkestrën simfonike. Më vonë punoi si drejtor në shkollën 8-vjeçare të muzikës dhe themeloi vitet e para të shkollës së mesme.
 
Në vitin 1971 u kthye në Tiranë si pedagog i Institutit të Lartë të Arteve. Gjatë gjithë kësaj kohe, profesori qëndroi indiferent ndaj politikës për t’u marrë ekskluzivisht me punën si muzikolog.
 
Prof. Paparisto ishte themeluesi i kritikës muzikore shqiptare dhe i njihet merita se përgatiti një numër të madh muzikologësh, të cilët më vonë do të punonin jo vetëm si pedagogë, por edhe si kritikë muzikorë.
 
Në suksesin e artistëve të famshëm shqiptarë, që sot konkurojnë me sukses në skenat evropiane dhe botërore, mund të thuhet se ka pjesën e tij edhe Prof. Paparisto.
 
Albert Paparisto njihej si njeri i thjeshtë dhe fisnik, që ngrihej mbi meskinitetin dhe vogëlsitë. Ai e urrente mburrjen dhe famën. Ishte i njohur për refuzimin e tij të përhershëm për të dhënë intervista në shtyp apo televizion. Preferonte të punonte me ngulm në pasionin e tij, me parimin se puna e çdo njeriu flet vetë dhe nuk ka nevojë për reklamë.
 
Në një kohë kur nga autorët kërkohej që veprat e tyre të pasqyronin bindje të caktuara politike, muzika e Paparistos ishte e paindoktrinuar, ajo tingëllonte e thjeshtë dhe e shkruar për njerëzit e të gjitha epokave. Për këtë arsye, disa nga veprat e tij janë kthyer në pjesë e përhershme e repertorit të artistëve shqiptarë.
 
Veprat “Këngë e lashtë”, “Romancë”, “Humoreska,” romancat vokale “Liria”, “Nokturn”, “Në syrin e pranverës”, “Hana”, etj., kanë hyrë në fondin klasik të muzikës shqiptare dhe luhen nga vendas e të huaj. Ai na ka lënë gjithashtu një album me pjesë për violinë e orkestër, një cikël me pjesë për piano, violinçel e piano si dhe pjesë për ansambël vokal.
 
Dekadën e fundit të jetës Prof. Paparisto e kaloi në SHBA, ku u mor aktivisht me kompozime dhe mësimdhënie. Ai ka bërë përpunime kompetente të këngëve popullore për kanto e piano, por vepra e tij është ende e pahulumtuar sa duhet.
 
Pedagogu, muzikologu, kompozitori dhe kritiku Albert Paparisto do të mbetet në në historinë e muzikës shqiptare si një ndër figurat e saj të ndritura.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje