Akademia e Shkencave: Nuk duam
një kullë të Babelit brenda kombit

Akademia e Shkencave: Nuk duam<br />një kullë të Babelit brenda kombit
TIRANË- Kanë kaluar më shumë se dy vjet që tezat e gjuhëtarve për ndryshimet në standardin e gjuhës shqipe, si rezulat i mbledhjeve të Këshillilit Ndërakademik provokon dendur debate. Debati gjallërohet sërish këto ditë pas një letre të drejtuar nga një grup gjuhëtarësh e akademikësh krymeinistrit Edi Rama, që mban titullin “Të ndalet prishja e gjuhës shqipe”. Letra erdhi pas disa debateve të një muaji, të cilat rrodhën nga konkluzionet e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën që u mblodh në mars në Kosovë. Tezat për disa ndryshime në drejtshkrimin e gjuhës shqipe u përcollën me replika të forta, ku shembulli i ndryshimit të shumësit teatër-teatra dhe kuadër-kuadra u bë objekt batutash nga akademikët e kundërshtartë e ndryshimit të standardit.

Në një reagim për “Shqiptarja.com” akademik Kristo Frashëri javën që shkoi theksoi se: “Të përfshish në gjuhën standarde shqipe të miratuar më 1972 disa kategori gjuhësore që nuk pajtohen me gjuhën standarde, do të thotë të krijosh disa gjuhë standarde.” Befas, dje deputetja e PS-së Ledi Shamku Shkreli ka shpërdarë në media reagimin e saj, ku mban një qëndrim tjetër, ndërkohë që letrën e akademikëve drejtuar kryeministrit e quan “farsa e profesorëve postkomunistë”. Në zjarrin e debatit që po ndizet sërish ditët e fundit dje është dërguar për mediat edhe qëndrimi zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila njofton se “përmirësimet në standard nuk prekin bazat e Drejtshkrimit”. Në këtë deklaratë përmendet se: “Diskutimi shkencor nuk pajtohet me politizimin e standardit të shqipes dhe të veprimtarisë së KNGJSH. Mendojmë se në qëndrimet ndaj standardit sot gjuhëtarëve u intereson më shumë jo kush – kur – si – pse e formoi shqipen e njësuar letrare, por vetë shqipja standarde ashtu siç është, si realitet, siç vjen nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe nga praktika gjuhësore e derisotme”.

Akademia e Shkencave e konsideron standardin gjuhësor “një mjet të fuqishëm bashkues kombëtar”, ku thesohet se: “Nuk mund të mendohet të ketë abetare, ligje, tekste mësimore, media etj. në çdo të folme, nëse nuk duam të ngremë një “kullë të Babilonit” a “kullë të Babelit” brenda kombit tonë. Në këtë mënyrë standardi i shërben politikës kombëtare të bashkimit, larg politikave partiake të përçarjes.” Deklarata e ASHSH përmend edhe arsyet se pse u ngrit Këshilli Ndërakademik? Ndërsa theksohet se ky këshill nuk ka fuqi vedimmarrëse.

Ishte Vendimi (më 2004) i dy kryesive mes Akademisë së Shqipërissë dhe të Kosovës për ngritjen e një grupi pune, të Këshillit Ndërakademik, “si organ me autoritet shkencor për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin dhe me zhvillimin e shqipes standarde. Vendimi është nënshkruar publikisht nga kryetari i atëhershëm i ASHSH, akademik Ylli Popa dhe kryetari i atëhershëm i ASHAK, akad. Rexhep Ismajli. Kryesia e KNGJSH përbëhej nga dy bashkëkryetarët, akademik Shaban Demiraj e akademik Rexhep Ismajli, dhe nga dy bashkësekretarët, profesor Emil Lafe e akadedmik Besim Bokshi. Deklarata e Akademisë sqaron më tej se “Gjithsesi, çdo shqetësim për këtë pronë e pasuri të përbashkët e të patjetërsueshme është e ligjshme dhe e çmohet si thirrje për maturi e kujdes.

Ç’tagër ka ky Këshill dhe ç’vlerë kanë diskutimet e propozimet e tij? Shumë herë është theksuar gjithashtu që Këshilli nuk ka tagër të marrë vendime të detyrueshme për t’u zbatuar, ai diskuton e propozon zgjidhje që mendohet se e përsosin standardin. Këshilli nuk ka fuqi ligjore të rrëzojë vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit.”. Duke iu referuar kësaj deklarate duket se Akademia i hap një perspektivë të re KNGJSH-së: “Tani Këshilli ka përpara për diskutim disa çështje të zbatimit të standardit në shkollë, në publicistikë, në dokumentacionin zyrtar, çështje të njësimit të terminogjisë, të huazimeve leksikore, etj.”

Në Bashkimin Evropian do të hyjmë me identitetin tonë, edhe gjuhësor, shprehen akademikët, sipas deklaratës ku theksohet se: “Gjuhësisë shqiptare sot i bie barra të bashkojë forcat e veta, duke i dhënë fund çdo lloj përçarjeje, politizimi, paragjykimi, fryme krahinoriste e mendësie lokaliste, diletantizmit, snobizmit, protagonizmit etj.,“ Mes shumë sqarimeve të tjera deklarata e ASHSH-së përfundon me fjalët se: Gjuha standarde shqipe sot po dëmtohet a po “rrënohet” më shumë nga keqpërdoruesit e saj, që e shpërfillin, e shëmtojnë me mungesën e kulturës gjuhësore, si kur flasin, edhe kur shkruajnë, më keq akoma - pa ndjenjën e përgjegjësisë për këtë pasuri kombëtare të përbashkët e të patjetërsueshme.”

Kristo Frashëri:
 
Gjuha nuk është produkt
që duhet t’i nënshtrohet fenomenit të modës

 
 
Akademik Kristo Frashëri në një shkrim të datës 2 maj për “Shqiptarja.com” pasi ka ndjekur punët dhe rezultatet e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën është shprehur se: “Në të vërtetë, përpjekjet që po bëjnë disa gjuhëtarë shqiptarë, pavarësisht se ata janë të pajisur me tituj akademikë, për të futur në gjuhën standarde kategori gramatikore ose për të pranuar për të njëjtën fjalë dy trajta gramatikore vetëm me argumentin se ato janë pasuri e dialektit të tyre, janë shkencërisht të papranueshme. Është njësoj si ta deformosh, ta përdhunosh, nëse lejohet të përdorim termin e Volterit: ta masakrosh gjuhën standarde. Shkurt, do të thotë ta varrosësh gjuhën standarde.....

Një dukuri e tillë po vihet re dhe në Këshillin Ndërakademik, anëtarët e të cilit me gjithë respektin që kam për ta si akademikë, përpiqen me dyzimet e tyre të kënaqin “edhe Lenën, edhe Prenën”, pra edhe toskërishten, edhe gegërishten: teatro - teatra, kuadro - kuadra. Nëse vazhdojmë kështu, do ta mbushim gramatikën shqipe me qindra, në mos edhe më tepër dyzime....”. Akadmeiku ka tërhequr vërejtjen se “Kam vënë re se disa gjuhëtarë e trajtojnë gjuhën standarde si një produkt i cili duhet t’i nënshtrohet, ashtu si për shembull veshmbathja, fenomenit të modës. Gjuha nuk është kostum që blihet në treg, por është fizionomia apo identiteti i një kombi, me ndryshim se gjuha nuk plaket, por pasurohet.”  

Sylejman Krasniqi: Standardi do t’u rezistojë shekujve. Lisin e çan vetëm pyka e vet”
 
 Ka reaguar dje rreth debatit për ndryshimet në standart edhe anëtari i Lëvizjes Vetvendosja. Sylejman Krasniqi vlerëson arritjet e Kongresit të Drejtshkrimit më 1972. Ai shkruan “Kulmi i këtij zhvillimi u arrit me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 të mbajtur në Tiranë dhe të përkrahur fuqishëm edhe nga gjuhëtarët shqiptarë nga Kosova dhe e të gjitha trevave shqiptare në ish-Jugosllavi, të cilët dhanë kontribut shumë të çmuar në gjuhën standarde. Me këtë akt gjuha shqipe hyri në radhën e gjuhëve më të standardizuara të botës moderne. Unifikimi dhe standardizimi i gjuhës shqipe të arritur në vitin 1972 çmohej baras me fitoren e një lufte çlirimtare. Me vendosjen e shqipes standarde mendohej se u krye një punë, e cila do t’u rezistojë edhe shumë e shumë shekujve të ardhshëm. Ashtu mendohej sepse kishin parasysh se çfarë peripecish kishte pasur ajo edhe pas miratimit të Alfabetit më 1908-në. Shqipja standarde ka filluar të shkruhej dhe flitej edhe në Kosovën, atëherë, të robëruar. Shqipja standarde nuk i pati pengesat që e përcollën Alfabetin, sepse tani ishin rrethanat krejt më të favorshme se sa në fillim të shekullit njëzet. Tani shqipja filloi të lulëzonte sepse institucione të tëra shkencore e përdorën pa hamendje. U përpiluan fjalorë dhe enciklopedi të shumta për një kohë të shkurtë. Shqipja standarde përdorej në të gjithë hapësirën shqiptare. Një fjalë e urtë e popullit thotë: “Lisin e çanë vetëm pyka e vet”.

Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë