Akademia e Shkencave përkujton Papën me origjinë shqiptare Klementi XI në 300-vjetorin e ndarjes nga jeta!

TIRANË- Akademia e Shkencave ka mbajtur sot më 15 korrik konferencën shkencore jubilare “Papa Klementi XI dhe Shqipëria” në 300-vjetorin e ndarjes nga jeta.Konferenca u çel nga moderatori akad. Pëllumb Xhufi, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike që kujtoi të pranishmit për rolin e Papa Klementit XI që ndihmoi në zhvillimet kulturore dhe kontribuoi për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet.

Fjalën e përshëndetjes e mbajti akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai theksoi mes shumë meritave të Papa Klementit të 11-të, përgjithësimin e etnonimit të ri të vendit dhe të popullit, Shqipëri e shqiptar, që u përdorën për herë të parë si zëvendësues Arbëri e arbër në procesverbalet e Kuvendit të Mërqisë, i njohur ndryshe si Kuvendi i Arbnit. 

“Misionarët e dërguar prej tij për të marrë pjesë në këtë kuvend, hartues fjalorësh e gramatikash të hershme, e stabilizuan emrin e ri të popullit në një kohë që emërtimet e vjetra ishin bërë të ngushta për t’i përfshirë të gjithë, pavarësisht dallimeve fetare, rajonale e kulturore.”-tha akad. Gjinushi.

Më tej në fjalën e tij, akad. Gjinushi foli për disa iniciativa me rëndësi historike-epokale, që ka ndërmarrë gjatë jetës së tij Papa Klementi në favor të vendit të tij të origjinës. 

Në këtë konferencë jubilare ka përshëndetur edhe Arqipeshkvi Luigi Bonazzi që theksoi se Papa Klementi XI mbështeti Kuvendin e Arbnit dhe shqipen. Ai foli për praninë e Selisë së Shenjtë në botën arbërore deri në ditët e sotme dhe theksoi faktin që Papa Klementi XI rridhte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte mbështes i arbërit.  Papa Klementi XI krenohej me prejardhjen me origjinë shqiptare, - tha arqipeshkvi Luigi Bonazzi, -duke theksuar se gjithmonë ka ekzistuar një lidhje e ngushtë mes Selisë së Shenjtë dhe popullit shqiptar.

Dom Nikë Ukgjini në kumtesën “Mërqia - kisha e Kuvendit të Arbrit, në të kaluarën dhe sot” tha se origjina e Papa Klementit është nga Laçi i Shqipërisë dhe solli dëshmi për zhvillimin e Kuvendit të Arbërit në kishën e Mërqisë në Lezhë.   Ai theksoi nxitjen dhe përkrahjen e Papa Albanit për Kuvendin e Abërit në një kohë kur një nga tiparet dalluese të papatit ka qenë në të gjitha kohët përpjekja e tij për të qëndruar pranë vështirësive e rreziqeve që u janë kërcënuar nga armiqtë e jashtëm e sidomos gjatë pushtimit 500-vjeçar të perandorisë osmane.

Papa Klementi ishte figurë botërore kryesore e kohës tha mes të tjerave Dom Nik Ukgjini. Më tej Dom Nikë Ukgjini solli të dhëna për famullinë e Mërqisë në Lezhë, ku u mblodh Kuvendi i Arbërit i miratuar nga Papa Albani.  Konferenca ka vijuar me prezantimin e dokumenteve dhe studimeve që e portretizojnë Papa Klementin XI si një personalitet erudit që emancipoi besimin e krishterë dhe dha kontribute të mëdha për kishën katolike.

Prof. Bardhyl Demiraj në kumtesën “Papa Klementi XI në kujtesën kolektive shqiptare” theksoi kontributet e vazhdueshme për të bashkuar krishtërimin në Shqipëri, ku kisha katolike e ortodokse bashkëjetuan paqësisht dhe theksoi se Papa Klementi luftoi edhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Prof. Francesco Altimari në kumtesën: “Regeneratio albanica: roli i Papës Klementi XI për zgjimin e kulturës dhe të identitetit në botën shqiptare” foli për prejardhjen shqiptare të Papa Klementit që u kujdes posaçërisht për fatin e vendit të paraardhësve te tij.

Me prejadhje nga familja fisnike e Mikel Laçit, familja e Papa Klemnetit XI u vendos në Urbino të Italisë dhe mori mbiemrin Albani. Prof. Altimari theksoi se në kohën e Papa Klementit pati edhe një rilindje të arbëreshëve, ku klerikët ishin të parët që nisën të shkruajnë në gjuhën shqipe.  Papa Klementi XI u bë paraprijës i krijimit të dy kolegjeve italo-shqiptare në Kalabri dhe Siçili që janë me rëndësi të madhe në historinë politike, kulturore, letrare dhe fetare.

Prof. Evalda Paci në kumtesën “Papa Klementi XI në tekste kushtimi të bashkëkohësve të vet” foli për rolin e tij në konsolidimin e institucioneve kishtare deri në lokalite më të largëta në të cilat vepronte kisha e Romës. Ajo përmendi bashkërendimin e akteve konkrete të tij në pikëpamje të ungjillëzimit dhe forcimit të rolit të kishës së Romës në Europë, por dhe më tej, në vise e juridiksione më të largëta.  

Àt Mikel Pllumbaj në kumtesën “Papa Klementi dhe “Illyricum Sacrum” foli për enciklopedinë madhore me 9 volume dhe 5500 faqe, ku flitet për historinë e ilirëve e arbërorëve dhe aty Papa Klementi XI zë vend të rëndësishëm edhe si atdhetar shqiptar.

Prof. Ardian Ndreca në kumtesën “Koncili i Arbnit” dhe rrënjosja e kulturës qytetare në Arbëri” foli për prejadhjen arbënore të Papa Klementit dhe Kuvendin e Arbërit, i cili u mbajt në Mërqi të Lezhës më 14-15 janar të vitit 1703 dhe për qëllimet e drejtëpërdrejta të atij kuvendi që ishin sfidat për një qutetërim europian dhe rrënjosjen e kulturës qytetare në Arbëri

Dr. Albin Saraçi në kumtesën “Kontributi i Papës Klementi XI Albani për Shqipërinë” solli dëshmi për origjinën shqiptare dhe mes të tjerash citoi dokumenta të zbuluara në Romë ku shkruhet për familjen Albani, të cilat dëshmojnë se familja Albani kishte lidhje farefisnore me Kastriotët.  Dr. Albin Saraçi foli edhe për projektet e Papa Klementit për historinë e shqiptarëve.  Papa Klementit XI është njohur ndryshe si Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani). Konferenca shkencore jubilare “Papa Klementi XI dhe Shqipëria” në 300-vjetorin e ndarjes nga jeta u organizua në bashkëpunim me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim