Akademia e Shkencave përkujton shkrimtarin Jakov Xoxa në 100-vjetorin e lindjes, Veliaj: Një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë moderne shqiptare

Akademia e Shkencave përkujtoi sot, në 100-vjetorit e lindjes, shkrimtarin dhe studiuesin e njohur të letrave shqipe, Jakov Xoxa, i shpallur edhe si personaliteti i vitit, përmes një ceremonie të veçantë, ku morën pjesë shkrimtarë, akademikë dhe figura të njohura të artit dhe të letërsisë shqipe.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se Jakov Xoxa është një nga figurat më të rëndësishme themeluese të letërsisë moderne shqiptare.

“Shpesh mendojmë si do ishte greqishtja pa Homerin, si do ishte italishtja pa Danten, si do ishte spanjishtja pa Servantesin apo frëngjishtja pa Gi dë Mopasan, rusishtja pa Tolstoin e gjuhë të tjera pa Kafkën, pa Kunderën. Gjuhët, patjetër që janë produkt i disa vendimmarrjeve, rregullsive dhe ligjësive që vendosen nëpër Kongreset e Gjuhës, të cilave nuk duhet me i heq asnjë meritë, por pyetja është: kush e lëvron gjuhën, kush i jep formë asaj? Unë besoj fort se për gjuhën shqipe Kadareja, Agolli, Kongoli, Jakov Xoxa, janë padyshim nga figurat më të rëndësishme themeluese të letërsisë moderne shqiptare”, u shpreh Veliaj.

Ai kujtoi po ashtu edhe kontributin e veprës së tij, sidomos në lidhjen mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

“E kemi sot fatin të kujtojmë një nga njerëzit që shpëtoi disa nga fjalët e gjuhës shqipe dhe eksploroi, ndoshta për herë të parë, raportin special mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës - të ndarë pa meritë, pa moral, nga historia dhe nga konfliktet e kohës - në romanin “Lumi i vdekur” apo dhe vepra të tjera. Shpeshherë ngurrojmë t’i japim meritën e duhur atyre që e kanë lëvruar, që e kanë punuar Gjuhën Shqipe. Sot jam vërtet mirënjohës për ata që e kanë kujtuar Jakov Xoxën”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ndihet krenar që sot në Tiranë ka hapësira ku ruhen vlerat artistike të autorëve të mëdhenj.

“Sot jam vërtet krenar për ç’ka kemi bërë në Tiranë. Tirana nuk është perfekte - ka disa gjëra që janë bërë shumë mirë, ka ende shumë punë për të bërë - por një nga gjërat që kemi bërë shumë mirë është rikthimi i disa hapësirave në qytet, si shtëpia “Kadare” apo shtëpia “Agolli”. Sigurisht, është kyç, siç kemi pasur bashkëpunim me familjen Agolli dhe me familjen Kadare, edhe bashkëpunimi i familjarëve, për të pasur ato artefakte. Unë besoj se për Jakov Xoxën, edhe si babai i stërnipit të tij, mund ta kem edhe më të thjeshtë në sigurimin e artefakteve dhe lënien e një kujtese për një gjeneratë tjetër,” tha më tej kryebashkiaku.

Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, tha se vepra e Jakov Xoxës është një nder për letërsinë shqiptare.

“Vepra dhe veprimtaria e Jakov Xoxës janë bazë në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek XX. Triptiku i tij me romanet “Lumi i Vdekur”, “Juga e Bardhë” dhe “Lulja e kripës” është bërë pjesë e konstitucionit shpirtëror të dhjetëra brezave në Shqipëri e Kosovë, madje edhe për lexuesit në gjuhë të huaj. Gjurma që ka lënë kjo vepër në formimin artistik dhe botëkuptimor të shoqërisë shqiptare është e pashlyeshme. Proza e Xoxës, romanet e novelat, tregimet dhe shkrimet publicistike të tij, janë një trashëgimi origjinale me shumë vlerë, që i përkasin dhe i bëjnë nder jo vetëm emrit të autorit, por vetë fatit të letërsisë shqipe në dekadat e pas luftës,” u shpreh ai.

Gjinushi tha se Akademia e Shkencave do të risjellë botimin e një prej lëndëve bazë të Jakov Xoxës për studentët e gjuhës dhe letërsisë, “Hyrjen në Shkencën e Letërsisë”. Shkrimtarit Jakov Xoxa iu dha edhe titulli Nderi i Akademisë së Shkencave (pas vdekjes).

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet